Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është liruar nga masa e arrestit shtëpiak.
Klan Kosova duke u thirr në burimet e veta ka raportuar se prokurori i rastit e ka dërguar lëndën në procedurë të rregullt.
Siç dihet, Agim Ademi qe një muaj ka qenë në arrest shtëpiak pasi po dyshohet se kryetari i FFK-së e ka keqpërdor detyrën e tij zyrtare e po ashtu dyshohet edhe për shmangie nga tatimi.
Përpos Ademit, prokuroria dhe policia i kanë intervistuar edhe disa zyrtarë të tjerë të Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila kohëve të fundit ka përjetuar kohëra shumë të vështira.
Në njërën anë, shtëpia e futbollit ende nuk është licencuar nga Ministria e Sportit, e në anën tjetër qe një kohë ka qenë nën llupën e njësisë për krime ekonomike dhe të korrupsionit të Policisë së Kosovës.
Imazhi i futbollit të Kosovës, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve vlerësohet të ketë pësuar dëmtim të madh.
Kurse, sa u përket rezultateve të lojës së futbollit, ato vërehen qartë dhe lënë shumë për të dëshiruar.