Sollën gra me kamionë dhe i zbarkuan në magjistralen afër fshatit Bujar. Kishte edhe të plagosura në mesin e tyre. Dhe, i vetmi fshat që nuk ka pranuar ta braktisë vendin, Bujari, ka qenë urë lidhëse për UÇK-në dhe logjistikë ndërmjet zonës së Nerodimes dhe Karadakut.
Bujari, fshat me rreth njëmijë e pesëqind banorë, ndodhet rreth 18 kilometra nga Prishtina për në Ferizaj.
I njohur dikur me emrin Gumnasellë, toponimi i tij ndryshoi për shkak të pritjes së popullatës së zhvendosur gjatë luftës.
Të paktë janë fshatrat të cilët nuk u zhvendosen siç ndodhi me këtë fshat. E, banorët e këtij fshat mbetën në ballë të pritjes së të zhvendosurve, duke mbajtur tri herë më shumë banorë gjatë luftës sesa ishte numri i tij.
Sidoqoftë, nga fshati Bujar, kanë dalë shumë burra të vlerësuar të historisë, e njëri ndër ta është Mulla Sherif Ahmeti, përkthyesi i parë në shqip i Kuranit.
Megjithatë, fshati Bujar njihet në Kosovën qendrore si fshati më bujar dhe kontributdhënës gjatë strehimit të të zhvendosurve.
I ndodhur ndërmjet fshatit Banullë, e që ishte zbrazur, si dhe Llugaxhisë, që aty-këtu ndonjë i huaj mund të hynte nëpër ndonjë shtëpi, Bujari qëndronte në ballë të stuhive të përgjakshme, të varroste të vrarët që forcat serbe i hidhnin pranë asfaltit rrugor dhe i varrosnin në varrezat e fshatit natën.
Ç’thotë dëshmitari Xhelil Ismaili?
Xhelil Ismaili, aktualisht punonjës arsimi, dikur administrator i fshatit, e gjatë luftës edhe koordinator logjistik mes zonës operative të Nerodimes dhe Karadakut, shpalos nga notesi i shënimeve disa nga ngjarjet:
“Nuk e braktisëm fshatin dhe mbetëm kujdestar në këtë pjesë të Kosovës.
Ishim lidhja më e sigurt mes dy zonave operative, Nerodimes dhe Karadakut dhe gjithçka që ndodhte mes këtyre zonave adresohej te fshati ynë.
Gjatë kohës së luftës kemi qëndruar me popullatën dhe të zhvendosurit e shumtë. Dhe, kah mesi i muajit prill, kur edhe u ndal në tërësi qarkullimi nëpër magjistralen Prishtinë-Ferizaj, banorët kishin hasur në një kufomë të lënë pranë asfaltit afër fshatit Qallapek.
Tri ditë kufoma ka qëndruar aty, derisa u organizuam ta merrnin e ta varrosnim natën. Ishte trupi i pajetë i veprimtarit nga Ferizaj, Zenun Beqajt.
Paraprakisht ia morëm të gjitha gjësendet për të dëshmuar identitetin e tij”, thotë Xhelili, duke treguar tutje për ngjarjet rrëqethëse që u zhvilluan në fshat pas masakrave në fshatin Sllovi, Hallaq dhe Ribar.
Sepse, masakra e Sllovisë, më 15 dhe 16 prill 1999, kur edhe u masakruan 43 civilë dhe vrasjet në Ribar e Hallaq në po ato ditë, krijuan presion dhe frikë te fshatarët e këtyre anëve.
Si i sollën serbët gratë me kamionë nga Bërnica?
Ndër ngjarjet tjera që ofruan ndihmë banorët e fshatit Bujar, Xhelili kujton detaje të tjera, konkretisht sjelljen e grave shqiptare nga Bërnica e Prishtinës.
“Teksa i përcillnim lëvizjet, buzë rrugës së asfaltuar u ndal një kamion i madh, nga i cili forcat serbe zbarkuan shumë gra e vajza dhe i lanë aty, e që më vonë mësuam se ato ishin nga Bërnica e Prishtinës.
Menjëherë u dolëm në ndihmë, duke i strehuar nëpër shtëpitë e fshatit tonë. Në mesin e tyre ishte një vajzë e plagosur rëndë në abdomen. Në fshat e kishim një mjeke dhe ajo i ndihmoi që të shërohej”, sqaron Xhelil Ismaili dhe shton:
“Tri ditë më vonë, një kamion tjetër serb solli rreth 30 burra që i zbriti po aty ku i kishin zbritur gratë.
I detyruan burrat t’i vendosnin duart pas koke dhe të ecnin në drejtim të fshatit tonë. Edhe ata kishin qenë nga Bërnica e Prishtinës”.
Ç’ndodhi në Bujar pak ditë para se të hynin forcat e NATO-s?
Xhelil Ismaili tutje tregon se ç’bënë forcat serbe ditëve të fundit para se të hynin forcat e NATO-s dhe rreth këtyre ngjarjeve shpalos:
“Forcat ushtarake-paramilitare serbe erdhën pranë fshatit dhe vendosën tanke prej kartuçi. Por, nga larg ato nuk dallonin nga tanket e rëndomta.
Aeroplanët e NATO-s silleshin mbi to, por nuk i bombardonin! E, të vërtetën e zbuluan fëmijët, të cilët nëpër grunaja kishin arritur t’u ofroheshin tankeve.
Ata kishin vërejtur se ato nuk kishin ushtarë e as policë. Pra, ushtria serbe i kishte vendosur tanket prej kartuçi që avionët e NATO-s t’i bombardonin, me qëllim që të pësonin banorët e Bujarit”, thotë në fund të bisedës sonë bashkëbiseduesi ynë Xhelil Ismaili