Bislimi: Shtyrja e zgjedhjeve në veri s’është opsion i mirë, s’duhet t’i nënshtrohemi një partie

Besnik Bislimi, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka folur për shumë çështje, përfshirë marrëveshjen e Ohrit, ekipin monitorues të marrëveshjes, e zgjedhjet në veri.

Madje, pyetja e parë e gazetares ishte në lidhje me situatën në veri dhe të ardhmen e zgjedhjeve në këtë pjesë të Kosovës. Bislimi fillimisht ishte i vetëvendosur, duke thënë se shumica e partive politike kanë vullnet për të marrë pjesë në zgjedhje. Në këtë kontekst, Bislimi theksoi se vullneti i shumicës së partive nuk duhet t’i “nënshtrohet interesave joparimore të një subjekti të vetëm politikë”, duke nënkuptuar Listën Serbe.

“Fillimisht, zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe në një demokraci të mirëfilltë janë institucionet shtetërore që vendosin afatet zyrtare për mbajtjen e tyre. Në këtë rast, në zgjedhjet në veri të Kosovës, ka vullnet nga parti politike që të jenë pjesëmarrës në zgjedhje. Ky vullnet mungon vetëm nga një subjekt dhe do të ishte gabim që vullneti politik i shumicës së subjekteve politike t’i nënshtrohet interesave joparimore të një subjekti të vetëm politik.” – deklaroi ai.

Por kur u pyet në mënyrë direkte nëse shtyrja e zgjedhjeve është opsion, Bislimi bëri një deklaratë të matur. Tash ai nuk foli më për mosnënshtrimin ndaj një partie politike, por për mënyrën se si shtyrja e zgjedhjeve nuk është opsion i mirë.

“Shtyrja nuk është opsion i mirë, është opsion i atyre që në këtë moment veriu është më mirë të shndërrohet në një zonë të menaxhimit të krizave dhe jo të hyjë në një proces të normalizimit të raporteve. Për momentin, protagonisti kryesor që kërkon shtyrjen e zgjedhjeve është zoti Vuçiq, i cili kërkon koncesione për pjesëmarrje në zgjedhje.” – vlerësoi tutje ai.

Në këtë intervistë, Bislimi e komentoi edhe mospjesëmarrjen e Listës Serbe, duke theksuar se një gjë e tillë është për arsye të kalkulimeve momentale.

“Ne besojmë që deklarimi për mospjesëmarrjen në zgjedhje e kanë, jo për arsye të kalkulimeve momentale, por se duke qenë se kanë parë rënien e madhe të besimit tek qytetarët, ata duan ta kamuflojnë këtë përmes ikjes së mbajtjeve të zgjedhjeve.” – theksoi Bislimi për Zërin e Amerikës.

Ndonëse në Amerikë, Bislimi e kritikoi edhe “disa zëra” nga politika në Kosovë, të cilat sipas tij po i bashkohen narrativës së Vuçiqit.

“Është shumë gabim që edhe zëra nga politika në Kosovë i bashkohen kësaj narrative të zotit Vuçiq.” – shtoi ai, duke thënë se Vuçiqi e ka shkelur marrëveshjen e Ohrit.

Ndryshe, Bislimi po qëndron në Amerikë së bashku me Hekuran Murati, ministër i Financave. Në lidhje me zgjedhjet në veri, ka folur edhe Aleksandar Jabllanoviq, në një intervistë për Nacionalen, që do të publikohet gjatë ditës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *