Ky është 20-vjeçari i cili dyshohet për therjen e dy të rinjve në Matiqan, Policia i gjeti edhe drogë në trup

Dje pasdite në rrugën ‘Muharrem Fejza’ ka ndodhur një përleshje mes katër të rinjve, ku si pasojë dy prej tyre kanë mbetur të plagosur nga therja me thikë. Njëri nga të dyshuarit, Drilon Hasimi, është kapur në vendin e ngjarjes, ndërsa Ardian Tovërlani është në kërkim policor, pasi u arratis menjëherë pasi ndodhi rasti, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se gjatë kontrollit trupor, njësitet policore kanë gjetur te Hasimi edhe substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Droga është konfiskuar si dhe ndaj 20-vjeçarit që po hetohet për “Vrasje e rëndë në tentativë në bashkëkryerje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, është iniciuar edhe rasti ‘Posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge’.

Kujtojmë se njësitë policore në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar dy thika, të cilat dyshohet se u përdorën nga Hasimi dhe Tovërlani gjatë kryerjes së veprës.

Ndërkohë dy personat që u lënduan, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po vazhdojnë trajtimin mjekësor pas plagëve të marra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *