Festat e tepërta dhe në ditë pune dëmtojnë vendin në aspektin financiar

Dje dhe sot, punëtorët e sektorit publik janë në pushim. Kjo pasi po përfitojnë nga dy data të festave zyrtare të cilat ranë në vikend, mirëpo sipas Ligjit të festave zyrtare, për to pushohet në një ditë pune, kësaj radhe dje (e hënë) dhe sot (e martë).

Kësisoj, dje, punëtorët e sektorit publik pushuan për shkak se të shtunën ishte Dita e Kushtetutës, ndërsa sot të njëjtit nuk dalin në punë pasi që të dielën ishin Pashkët Katolike.

Drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Zana Beqiri përmes një lidhje telefonike, tha për KosovaPress se sipas tyre këto festa po konsiderohen të shumta dhe po ndikojnë në zhvillimin e bizneseve si dhe në ngarkesën e stafit. Ajo theksoi se i kanë adresuar kërkesa Qeverisë së Kosovës për rishikimin e Ligjit për festat zyrtare, mirëpo akoma nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Ne kemi dërguar disa kërkesa për vite me radhë dhe ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. Kemi kërkuar që festat të festohen në ditën që bien, nëse është vikend le të festohen në vikend, mirëpo nuk do të thotë që duhet të marrim një kompensim për festë zyrtare. Edhe këtë vit kemi kërkuar prej kryeministrit që ta vlerësojë këtë kërkesë… Ne e shohim si të dëmshme, sepse në vend se të jenë 14 ditë festa zyrtare, ne e kemi ditën e festës zyrtare si dhe një ditë pune që i merret biznesit.

Ajo shton se shtyrja e ditëve të punës, po ndikon edhe tek produktiviteti i bizneseve dhe në ngarkesën e punëtorëve.

Gjithashtu ajo kërkon që të festohen por të mos jenë ditë pushimi ditët si: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maji – Dita e Evropës, ndërsa që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin.

“Të gjitha këto vërejtje që i kemi ne prej bizneseve, janë vërejtje të cilat ndikojnë në biznes dhe ndikojnë biznesin në përgjithësi. Mundet të ndikojë edhe te produktiviteti, mirëpo mund të ndikojë edhe te ngarkesa e stafit sepse kur të vijë një punë që do e kishe përfunduar për 22 ditë pune sa janë në një muaj, kur i ke gjithë ato festa publike duhet të ngutesh dhe t’i përfundosh për më pak ditë. Kjo ndikon në ngarkesën dhe në motivimin e stafit”, theksoi ajo.

E qytetari, njëkohësisht pronar biznesi, Ismail Jakupaj, Ligjin për festat nuk e arsyeton fare. Sipas tij, ky ligj është kopjuar nga shtete të tjera, ndërkaq qeveria edhe pse pretendon të bëjë ndryshime në të, akoma nuk ka rezultat.

“Nuk është fare e arsyeshme, por fatkeqësisht e kanë marrë këtë ligj dhe e kanë kopjuar prej dikujt, vendeve të cilat nuk i kanë fetë, por tek ne janë të gjitha ato. Tre muaj në vit i kanë pushim, përfshirë dhe pushimet vjetore. Nuk dinë çfarë të bëjnë njerëzit për ata që nuk i kanë kushtet për t’i shfrytëzuar vetëm rrinë në kafe… Këta po propozojnë që kanë për t’i ndërruar (ligjin), por asgjë nuk veprojnë sepse po iu konvenon këtyre që janë në qeveri, të dalin dhe të shëtisin. As në qeveri nuk punojnë asgjë, vetëm dalin pushojnë dhe pinë kafe… Nuk ka më shërbime, ata veç në zyre qëndrojnë dhe mezi presin të dalin të shëtisin”, tha ai.

Ismet Zhuja, thotë se nga këto festa më së shumti po përfitojnë zyrtarët dhe po e pësojnë bizneset. Ai tregon për një shokun të tij, pronar të një biznesi, që në këto ditë ai duhet t’i lirojë punëtorët dhe se i njëjti ka humbje të mëdha financiare.

“Atëherë kemi pasur ditë të caktuara. Ka qenë 1 maji, 28 nëntori, varësisht si e kanë festuar dhe disa festa fetare që kane qenë, por atëherë nuk kanë pasur festa dhe pushim kaq shumë. Megjithëse shteti jonë është multietnik dhe duhet t’i respektojë secilit nacionalitetin dhe ditët e tyre, megjithatë është shumë. Kam shokun që është nga biznesi. Po ankohet dhe më tregon që shumë ditë duhet t’i lirojnë punëtorët dhe duhet ta ndalin makinën, në momentin që ndalet ajo nuk ka prodhim dhe mjetet e tija që i ka futur në biznes nuk mundet t’i nxjerrë ashtu siç mendon, duke iu ‘falënderuar’ këtyre pushimeve… Është e vështirë për bizneset, e zyrtarëve në zyrat e tyre iu vjen mirë sepse ata çdo pushim e shfrytëzojnë dhe për ata nuk është keq”, tha ai.

I pakënaqur me numrin e madh të festave u shpreh edhe qytetari Hajdar Hyseni.

“Për ‘Genius’ jemi ne Kosova sa festat i kemi. Jam i sigurt që më shumë kemi festa sesa ditë të punës, pa i futur këtu të shtunën dhe të dielën”, theksoi ai.

I të njëjtit mendim nuk është Franklin Sedaj.

“Besoj që është në rregull kjo sepse Kosova nuk mund t’i ketë ligjet e festave si të gjitha shtetet evropiane… Të gjitha institucionet shtetërore janë të mbyllura sot, asgjë nuk punon… Festat janë të rregulluara mbi ligjin mbi liritë fetare… Festa e Pashkëve, është festa më e madhe në botën katolike… Ai njeri i cili është punëtor, ka kohë mjaftueshëm të punojë pesë ditët e tjera. Sot është festë e madhe në të gjithë botën”, tha ai.

Në Kalendarin e festave zyrtare, të publikuar nga Ministria e Administratës Publike figurojnë 11 festa zyrtare me gjithsej 12 ditë pushimi.

Kujtojmë që festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj, janë Viti i Ri, Krishtlindjet ortodokse, Dita e Pavarësisë, Dita e Kushtetutës, Pashkët katolike, Pashkët ortodokse, Dita ndërkombëtare e punës, dita e parë e Bajramit të Madh, Dita e Evropës, dita e parë e Bajramit të Vogël dhe Krishtlindjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *