Anulohen seancat e caktuara në ditët e festave zyrtare

Disa seanca janë caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe gjykatat tjera për ditën e hënë dhe të martë, ditë këto që sipas kalendarit janë ditë të festave zyrtare në Republikën e Kosovës.

Kryesusi Albert Zogaj, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se të hënën dhe të martën nuk do të punohet në gjykata.

Për ditën e martë ishin caktuar edhe seanca në raste të korrupsionit si rasti ndaj Ismet Halitit, i cili bashkë me Skender Canollin po akuzohen se në cilësi të personave zyrtar në Komunën e Prishtinës i kishin mundësuar H.V përfitim nga ndërtimet pa leje.

Po ashtu, të martën pra me 11 prill është caktuar edhe rasti “Subvencionet 1”, rast ky i njohur mediatikisht.

Në uebfaqen e Gjykatës Themelore në Prishtinës, në orarin e seancave janë të evidentuara disa seanca gjyqësore në departamente dhe divizione të ndryshme.

Sipas kalendarit të festave zyrtare, 10 prilli (e hënë- Dita e Kushtetutës) dhe 11 prill (e martë-Pashkët Katolike) janë festa zyrtare në Republikën e Kosovës. Dita e Kushtetutës është më 9 prill, ndërsa Pashkët më 10 prill, mirëpo, sipas Ligjit për festat zyrtare, kur dita e pushimit bie në ditë vikendi zëvendësohet pushimi në një ditë të javës.

Pos Ditës së Kushtetutës dhe festës së Pashkëve, deri në fund të vitit janë edhe pesë ditë të tjera pushim. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *