Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka qenë i qartë në përgjigjen e tij kur u pyet nëse po ndodhë implementimi i Asociacionit, dhe nëse është afër formimi i tij.
Ambasadori i njohur në një paraqitje në “Euronews Serbia” është pyetur edhe rreth deklaratave të bëra nga kryeengociatorët dhe dallimet mes tyre.
“Shpesh kemi përfundime të ndryshme, por çka është e qartë, disa çështje kryesore do të implementohen. Një prej më të rëndësishmeve, siç është thënë nga ShBA-ja dhe BE-ja, është se duhet të formohet Asociacioni sa më parë…” – tha ai.
Diplomati amerikan u pyet edhe nëse “jemi afër formimit të Asociacionit dhe nëse do të bazohet në marrëveshjen e Brukselit.
“Po, implementimi po ndodhë. Negociatat ishin të vështira, por ka një udhëzim të qartë, që është Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013. Edhe pse negociatat sigurisht që do të jenë të vështira, djalli është në detaje, dhe ka shumë të tilla. Mendoj që kemi udhëzime të qarta, sepse nga gjashtë pikat e para të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, ne e dimë se si do të duket ai komunitet.” – tha Hill.
Çka rreth deklaratave të Kurtit? Hill la të kuptohet se të njëjtat veç e bëjnë procesin më të vështirë, megjithatë, ai u beson ndërmjetësuesve Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.
“Unë mendoj që ka konsensus për atë që është në vazhdim dhe që do të ndodhë. Sigurisht, ka shumë fjalë e fjalë, dhe nëse i bën të gjitha bashkë në negociata, nuk duket mirë, por tani ka një kuptim më të madh se sa që fjalët e tregojnë.” – tha ai.