Ekspertiza e bërë për sulmin ndaj TCH ka konfirmuar se plumbi që i mori jetën rojes ka qenë rikoshet. Duke përjashtuar mundësinë që ai të ketë qenë objektivi i autorëve, prokuroria është në pritje të përgjigjeve nga Europol. Të dhënat që do të vijnë prej andej kanë ngjallur shpresën për të zbuluar agresorët.
Goditja me 15 plumba e godinës së “Top-Channel”, vijon të qëndrojë e pazbardhur, megjithëse policia dhe prokuroria e Tiranës, pretendojnë se kanë ngushtuar ndjeshëm rrethin e personave, që dyshohet se morën pjesë në goditjen me armë të televizionit.
Prokuroria së fundi i është drejtuar me një letërporosi autoriteteve të “Europol” në Francë, duke kërkuar ndihmë për ekzaminimin e dy profileve gjenetike, që janë gjendur në gëzhojat e sekuestruara në vendin e krimit.
E ndërsa grupi i hetimit është në pritje dhe ka shpresa të mëdha se përgjigjia e “Europol”, do sjellë zbardhjen e ngjarjes, nga ana tjetër në prokurori kanë mbërritur përgjigjet e para të ekspertizave.
“Ora News” mëson se dy ekspertizat, ajo balistike dhe mjeko-ligjore, kanë konfirmuar se roja i televizionit Pal Kola, është vrarë nga një plumb rikoshet.
Hetimi ka përjashtuar totalisht se Pal Kola ka qënë objekt i këtij sulmi me armë.
Sipas dinamikës së ndërtuar përmes kamerave të sigurisë së televizionit por dhe ekspertizave të kryera, është provuar se autorët kanë qëlluar 1 plumb të vetëm në drejtim të kabinës ku qëndronte roja, Pal Kola.
Plumbi që i ka marë jetën këtij të fundit, sipas dy ekspertizave rezulton të ketë ndryshuar trajektoren.
Pasi predha është gjendur e dëmtuar, gjë të cilën e provojnë ekspertët balistikë dhe mjekësia-ligjore.
Pal Kola, nuk ka ndëruar jetë brenda në kabinën e rojes, por ai ka dalë jashtë saj duke ecur rreth 7 metra dhe më pas është rrëzuar në oborin e televizionit.
Vetëm pak orë pas sulmit me armë të “Top-Channel” dhe vrasjes së Pal Kolës, policia e Vlorës ndaloi rastësisht Roberto Papçin, ish-dhëndërin e viktimës.
Por pas marjes në pyetje të tij dhe verifikimeve të policisë, ai rezultoi se ndodhej në Gjirokastër dhe nga ky qytet po udhëtonte në drejtim të Vlorës, që sipas tij do takonte një shok për të blerë një makinë.
Papçi është lënë i lirë, ndërsa policia dhe prokuroria e Tiranës, tashmë kanë përqëndruar hetimet mbi tre persona që janë pjesë e krimit të organizuar.
Ata po mbahen në survejim, ndërsa gjatë kësaj periudhe hetimore nuk është arritur të zbardhet motivi i goditjes me armë të televizionit “Top-Channel”.
Për këtë pjesë janë marë në pyetje dhe aksionerët e televizionit, por askush prej tyre s’ka deklaruar në polici motivet e mundshme të sulmit me armës ndaj pronës së tyre, ku mbeti i vrarë një person./Oranews