Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka replikuar me kryediplomaten kosovare, Donika Gërvalla, në dy vjetorin e Qeverisë Kurti.
Shoshi ka thënë se shihet qartë që kryeministri Kurti e ka “përjashtuar” Gërvallën nga kabineti qeveritar dhe se kompetencat tashmë i ka marrë zv.ministri Kreshik Ahmeti.
“Zonja Gërvalla më vjen keq që s’je pjesë e kësaj mrekullie që ka ndodhë. Sepse po shihet që Albini të ka përjashtua nga kabineti qeveritar. Kompetencat po shihet që i ke dorëzua te zv.ministri Kreshniku. Ti përveç që merresh me punët e brendshme të MPJ-së asgjë tjetër s’ke. Edhe ato punë me të cilat merresh brenda ministrisë i ke të jashtëligjshme. Instancat gjyqësore çdo ditë po të kthejnë vendime që je në kundërshtim me ligjin”, ka thënë deputetja Musliu-Shoshi.
Ajo tutje i ka thënë Gërvallës se “je e paditur” dhe se “s’merr erë në këtë punë [diplomaci]”
“Në krye të diplomacisë je ti që je jashtëzakonisht e paditur dhe s’merr erë në këtë punë. Përpos përçarjes brenda MPJ s’ke bërë bash asgjë. Kosova s’ka shërbim të jashtëm, as lobim, e njohjet e reja as në shprehje nuk vijnë. Anëtarësimet në institucionet ndërkombëtare janë vetëm në mënyrë dëshirore”, ka thënë deputetja e PDK-së.
Ndaj këtyre deklarimeve të deputetes, ka reaguar Donika Gërvalla duke thënë se shumica e ankesave që janë bërë nuk janë miratuar as 1% e tyre dhe se janë konfirmuar të gjitha vendimet e saj si ministre.
“Sa i përket shpërndarjes së kompetencave te zv.ministrat sinqerisht s’po iu kuptoj. Si organizohet puna në institucion, pa pajisur me kompetenca edhe zëvëndsit që të jenë në gjendje të veprojnë në mungesë të ministrit, që sipas detyrës kohën më të madhe e kalon jashtë vendit”, ka thënë Gërvalla kur i ka kthyer përgjigje për delegim të kompetencave tek zv.ministri Kreshnik Ahmeti.
Ndaj Gërvallës ka reaguar përsëri deputetja e PDK-së, duke i thënë Gërvallës se Kurti e ka përjashtuar nga çdo aktivitet, përfshirë forumet ndërkombëtare, procesin e dialogut e takime bilaterale e multilaterale.
“Ministre të paktën të ka hije me qenë e sinqertë. E shkel ligjin në baza ditore, në çdo vendim që e nënshkruan. Ti politikën e jashtme nuk e njeh. Për këtë arsye të ka përjashtu Albini, nuk je kërkun, asnjëherë. Në asnjë forum ndërkombëtar nuk je, nuk je në dialog, s’je në takime bilaterale, as multilaterale, ti s’ke agjendë të politikës së jashtme” ka përfunduar deputetja e PDK-së.
/Insajderi