Pas 33 vjetësh pushtet “zoon politikon” më i madh që ka parë Ballkani Perëndimor nuk “mbretëron” më.
Milo Gjukanoviç përfundimisht ka humbur pushtetin.
Në zgjedhjet e 2 prillit, një 36 vjeçar i quajtur Jakov Milatoviç, arriti që ta mposhtë Gjukanoviç-in, duke fituar kështu besimin e mbi 60 për qind të qytetarëve malazezë.
Mali i Zi nën udhëheqjen e Gjukanoviç-it ka zhvilluar raporte korrekte me të gjitha vendet rajonit, përjashto këtu Serbinë, për të cilën vazhdimisht ka pasur retorikë të ashpër.
Raportet e mira ia siguruan edhe mbështetjen e jashtme, përfshirë këtu atë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, kreu i ekzekutivit kosovar, në një intervistë televizive, ishte shprehur hapur kundër Jakov Milatoviç-it, dhe rrjedhimisht në përkrahje të Gjukanoviç-it.
“Nëse fiton kundërkandidati i presidentit aktual, unë besoj që hapet rruga për zhdukjen e kombit malazez. Konkretisht, fitorja e çfarëdo kandidatëve, jo vetëm këtij (Milatoviç) pro-serb e pro-rus, në zgjedhjet (parlamentare) të qershorit që do të jenë pastaj, do të shënojë fitoren e radhës së Kishës Ortodokse Serbe”, ishte shprehur Kurti duke komentuar zgjedhjet në Mal të Zi.
Por, tash që Milatoviç fitoi, a do të ndikojë deklarata e Kurtit në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi?
Sipas redaktores se gazetës më të madhe malazeze Vijesti, Biljana Matijaseviç, mbase s’do përbëjë ndonjë ndikim të madh, gjithsesi, deklarime të tilla s’është se s’ndikojnë fare.
Ajo ka edhe një vërejtje për kryeministrin e Kosovës.
Sipas saj, Kurti do të duhej mos bëhej katalizator i përkeqësimit të marrëdhënieve në mes dy shteteve.
Kryeministri kosovar – thotë ajo – duhet t’ia jepte mundësinë fillimisht Milatoviç-it të tregojë se për çfarë qëndron.
“Kurti ndoshta është i shqetësuar për mundësinë e forcimit të ndikimit të Beogradit në Mal të Zi, por do të ishte mirë që të mos kontribuonte në ftohjen e marrëdhënieve me deklarata të ashpra dhe t’i jepte shansin presidentit të ri të Malit të Zi të tregojë se çfarë përfaqëson”, tha ajo.
Biljana Matijašević | Vijesti
Jashtë kësaj, gazetarja malazeze vlerëson se vetë zgjedhja e Jakov Milatoviç-it president “nuk do të ndikojë në marrëdhëniet me Kosovën”. Kjo bindje asaj i është krijuar edhe pasi i ka dëgjuar deklaratat e Milatoviç-it, i cili “vazhdimisht ka premtuar se nuk do ta ndryshojë kursin e politikës së jashtme të Malit të Zi”.
“Këtë e tha vetë Jakov Milatoviç pak ditë më parë”, pohoi Matijaseviç.
“Lëvizja “Evropa Tani” nuk është parti nacionaliste, por parti qytetare, të paktën kështu thonë liderët e tyre. Nuk pres që të ndryshojë asgjë, sepse për këtë kanë besimin e një numri të madh të qytetarëve. Narrativa se Jakov Milatoviç është një politikan pro-serb u promovua nga DPS (Partia e Milo Gjukanoviç) gjatë fushatës zgjedhore”.
Në drejtim të presidentit të sapo zgjedhur malazez ka pasur vazhdimisht akuza se ai përfaqëson një politikë pro ruse dhe që është i mbështetur nga Beogradi, këto u përforcuan edhe me deklarimet përkrahëse ndaj tij nga i dënuari për krime lufte nga Gjykata e Hagës, Vojslav Sheshel, si dhe nga presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Millorad Dodik. Gjithashtu, ai kishte qenë pjesë e qeverisë pro-serbo-ruse e udhëhequr nga Zdravko Krivokrapiç.
Përkundër këtyre, Matijaseviç beson se Milatoviç do t’iu përmbahet zotimeve të dhëna që Mali i Zi nuk duhet të ndahet në kombësi, por se do të mbizotërojë barazia për të gjitha etnitë që jetojnë aty.
“Është e vërtetë se ai ishte ministër në Qeverinë që u zgjodh me ndihmën e Kishës. Mirëpo, pas rënies së asaj qeverie, së bashku me Milojko Spajiç-in, ai themeloi Lëvizjen ‘Evropa Tani’, si parti civile, e cila, siç kanë thënë vazhdimisht Spajiç dhe Milatoviç, po lufton që Mali i Zi të mos ndahet më sipas kombësisë dhe të gjithë të jenë të barabartë”, tha ajo.
“Nga premtimet e deritanishme të Milatoviç-it, pritet që ai të forcojë marrëdhëniet me të gjitha vendet e rajonit, e veçanërisht të punojë në përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik”.
Mgjithatë, redaktorja e politikës në Vijesti thekson edhe se “si Spajiç ashtu edhe Milatoviç do të vazhdojnë të përballen me akuzat se janë politikanë pro-serbë përpara zgjedhjeve parlamentare në qershor”.
Ashtu si Matijaseviç në Mal të Zi, mendon edhe gazetari dhe publicisti Halil Matoshi në Kosovë.
“Mali i Zi është shtet demokratik nën ombrellën e NATO-s dhe në hemisferën e ndikimit perëndimor. Pra ndikimi rus mund të vije në shprehje sa në Maqedoninë e Veriut por që nuk mund ta ndërrojë historinë”, tha Matoshi.
Halil Matoshi: Pse Kosova është një komb i ri. Shqipëria nuk e do bashkimin me të | Gazeta Koha Jone
Edhe Matoshi, përkundër dijenisë së lidhjes mes Milatoviç-it dhe sentimentit serb, e sheh si të tepruar deklarimin e Kurtit për “shuarjen e kombit malazez”.
“Ardhja e Milatoviç në pushtet është rezultat i inkursimit të nacionalizmit serbomadh dhe Kishës Ortodokse Serbe, pra një model i ‘botës serbe’, mirëpo kjo nuk e shpërbën kombin dhe shtetin malazias, sepse vendi i vogël i Adriatikut është pjesë e NATO-s dhe në kursin e integrimeve evropiane”, tha Matoshi me një prononcim për AP.
Por, mbështetja e kishës Ortodokse Serbe dhe ajo nga çarqet serbe, sipas analistit politik nuk do të kalojë pa ndonjë ‘dhuratë’, paçka se dëmshpërblimet e dhëna do të kenë më shumë karakter simbolik.
“Pos akomodimit të disa politikave simbolike proserbe/kishtare, në politikat e jashtme nuk do të këtë ndonjë ndryshim rrënjësor, as në marrëdhëniet me Kosovën”, beson Matoshi.
Ndryshe, Kosova dhe Mali i Zi kanë qenë vende përbërëse në kuadër të Jugosllavisë, por me statuse të ndryshme.
Mali i Zi ka qenë një nga gjashtë republikat e Federatës Jugosllave, ndërsa Kosova ishte krahinë autonome në kuadër të Serbisë, dhe kjo deri në vitin 1989, kur presidenti fashist i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç e suprimoi atë.
Mali i Zi është vendi i fundit që është shkëputur nga Jugosllavia, dhe kjo jo më larg se në vitin 2006. Lëvizjen për shkëputjen nga Jugosllavia e kishte udhëhequr presidenti i deritanishëm malazez, Milo Gjukanoviç.
Kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj, me 17 shkurt të vitit 2008, Mali i Zi vetëm disa muaj më pas, saktësisht me 9 tetor 2008, e kishte njohur pavarësinë e saj. Kryeministër në atë kohë ishte Gjukanoviç.
Njohja nga Mali i Zi për Kosovën ishte mjaft e rëndësishme, pasi që një vend fqinje po pajtohej me mëvetësinë e saj. Ishte vendi i 49 që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës./AP