Avokatja e Krasniqit: Ai ishte vetëm zëdhënës, s’ishte i përfshirë në operacione ushtarake

Avokatja e Krasniqit: Ai ishte vetëm zëdhënës, zëdhënësit s’përfshihen në operacione ushtarake

Venkateswari Alagendra, avokatja e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se klienti i saj nuk ka pasur asnjë përgjegjësi operacionale në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Z. Krasniqi nuk përmendej në raportin e Këshillit të Europës të vitit 2011 si i dyshuar për ndonjë përgjegjësi penale”, tha ajo në deklaratën hyrëse në gjykim. “Nuk është arrestuar kurrë për krime”, theksoi Alagendra.

Fakti që disa dokumente u gjetën në banesën e Krasniqit, avokatja tha se nuk i bën ato autoriale.

“Prokuroria duket sikur është bërë pjesë e propagandës kundër UÇK-së”, tha ndër tjerash Alagendra.

Ajo tha se arrestimi i Krasniqit ishte “goditje edhe për popullin e Kosovës”, që siç tha ajo, e kishin njohur ndryshe atë.

“Do të shikoni se si ai nuk do të duhej të ishte akuzuar fare”, i tha avokatja trupit gjykues.

Sipas saj, Prokuroria ka bërë “6 gabime fatale”, në raport me akuzat ndaj Jakup Krasniqit.

“Gabimi i parë është që Prokuroria e keqkupton ose qëllimisht e keqpërfaqëson rolin personal të z. Krasniqi”, ka theksuar ajo, duke insistuar se ai ishte “vetëm zëdhënës”.

“Z. gjykatës, ne të gjithë e dimë se çfarë roli ka zëdhënësi dhe kufizimet e tij. Zëdhënësit nuk përfshihen në çështje operacionale ushtarake. Roli i tyre është kontakti dhe marrëdhëniet me publikun. Ky, i nderuar gjykatës, ishte pikërisht roli që ka luajtur z. Krasniqi atë kohë”, tha avokatja Alagendra.

Ajo paralajmëroi se dëshmitarët që do të paraqiten kundër Krasniqit, do të thonë “vetëm thashetheme” për rolin e Krasniqit në luftë.

Ska asnjë dëshmi, tha ajo, se Krasniqi ishte zëvendëskomandant.

Në deklaratën hyrëse të gjykimit, prokurorët e Speciales thanë se kishin gjetur materiale që sipas tyre dëshmonin se Krasniqi ishte zëvendëskomandant. Ata pretendonin se Krasniqi kishte autoritetin që t’u jepte urdhra komandantëve të zonave dhe anëtarëve tjerë të UÇK-së për arrestimin e lirimin e njerëzve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *