Bernard Kouchner: Thaçi ishte njeriu i tolerancës, ikja e disa serbëve nga Kosova nuk ishte rezultat i dhunës

Administratori i parë në Kosovë, Bernard Kouchner, e ka shkruar parathënien e librit “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës”, me autor shkrimtarin francez Jacques Baudouin.

Bernard Kushner, duke qenë dëshmitar i të gjitha zhvillimeve politike pas çlirimit të Kosovës, e ka vlerësuar lart kontributin e Hashim Thaçit, si në luftë, ashtu edhe pas luftës.

Ai fillimisht në parathënien e librit shkruan për Pavarësinë e Kosovës, duke e përmendur Hashim Thaçin dhe Ibrahim Rugovën. Kushner shkruan se “Këtë pavarësi, rezultat vitesh luftimi, bashkëbisedimesh dhe vendosmërie nga ana e kreut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ibrahim Rugova, Kosova e ka paguar shumë shtrenjtë“.

Më tutje Kushner aty tregon edhe për largimin e disa serbëve nga Kosova, menjëherë pas luftës, duke thënë në formë të prerë se ajo nuk ishte si rezultat i dhunës së organizuar nga UÇK-ja.

“Shpërthimet nacionaliste, urrejtjet dhe tensionet kishin lënë gjurmë të pashlyeshme dhe unë kisha frikë mos serbët do të iknin në masë nga Kosova. Nuk ndodhi kështu, ndonëse në Kosovë nuk pati as polici, as ligj, në muajt e parë pas luftës. Disa zgjodhën të strehoheshin në Serbi për t’iu shpëtuar ndëshkimeve nga ana e fqinjve të tyre shqiptarë, por këto ikje nuk qenë aspak rezultat dhunash të organizuara apo etnike nga UÇK-ja“, vazhdon rrefimin e tij Bernard Kushner.

Po ashtu, Bernard Kushner ka treguar se vullneti i Thaçit ishte të ndërtonte një shoqëri multietnike.

“Isha tejet i lehtësuar që nuk pati eksod dhe shumica e familjeve serbe parapëlqyen të rrinin në tokën e stërgjyshërve të tyre. Por, kjo ishte gjithashtu dëshira dhe vullneti i Hashim Thaçit, i cili ishte plotësisht i vetëdijshëm se vendi i tij do të duhej të kënaqte së shpejti dëshirën e të gjithë qytetarëve, përfshirë pra dhe serbët, për një Kosovë multietnike“.

Ai në këtë shkrim ka treguar se mund të dëshmojë për pretendimet dhe akuzat ndaj Hashim Thaçit të shpalosura në Raportin e Dick Martyt, duke i quajtur të njëjtat si imagjinare dhe absurde. Në shkrimin e tij ai hedh poshtë akuzat ndaj Thaçit, duke thënë se “Ai dhe unë punonim dorë më dorë. Dhe ai nuk kurseu përpjekjet e tij gjatë gjithë pranisë sime atje, për ta bërë Kosovën atdhe të të gjithëve, çfarëdo qofshin origjinat etnike të secilit. Ndër udhëheqësit e UÇK-së dhe të Kosovës, ishte Hashim Thaçi ai që kishte reflektuar më shumë për të ardhmen. Kishte farkëtuar një vizion të vendit që donte t’ua linte fëmijëve të vet. Pasi që kishte bërë luftën, ai ishte në vendin e duhur për ta bërë paqen. Ishte njeriu i tolerancës, i pajtimit ndërmjet bashkësive dhe unë besoj se sot është udhëheqësi i pajtimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mos vallë kjo është arsyeja që disa duan ta ndotin duke ngritur akuza si ato të Raportit Marty? Ka mundësi. Unë, ngaqë isha atje në vend, e di mirë se këto akuza janë po aq imagjinare sa dhe absurde. Mund të dëshmoj për këtë“.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *