Në vazhdim të fjalës hyrëse të Prokurorisë së Specializuar në Hagë u përmendën rastet e ndalimit të individëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Anëtarët e UÇK-së u hoqën lirinë qindra individëve pa proces të rregullt gjyqësor. Ka të paktën 440 incidente sa i takon ndalimit të personave”, tha prokurori James Pace.
Sipas tij, viktimat përfshinin persona që punonin në pylltari, bujqësi, gazetarë, mësues e të tjera.
“Shumë ishin mbështetës të LDK-së ose thjesht nuk mbështesnin UÇK-në”, tha ai.
Sipas Prokurorisë pati shumë keqtrajtime të të ndaluarve dhe në rastet më të rënda, vrasje.
“Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht sepse konsideroheshin kundërshtarë”, tha ai, duke shtuar se krerët e UÇK-së akuzohen se janë përgjegjës për këto vrasje.
Sipas tij, të paktën 20 persona janë ende të zhdukur.
“Provat do të tregojnë se të akuzuarit janë përgjegjës për këto krime”, tha ai.
Shumica e vendndalimeve ishin, sipas Prokurorisë, selitë rajonale të zonave të UÇK-së.
Pace tha se në Jabllanicë, të akuzuarit se “kanë vrarë të paktën tre persona” dhe një person ende konsiderohet i zhdukur.
/GazetaSinjali/