The National Interest, revista amerikane që merret me politikën e jashtme dhe interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një artikull të publikuar sëfundi ka analizuar kthesën e politikës së jashtme të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
Kjo kthesë e papritur në politikën e SHBA-së mund të shihet më së miri në shtete si Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja-Hercegovina, shkruan The National Interest, duke paralajmëruar se kjo qasje mund të krijojë një precedent të rrezikshëm.
LEXO EDHE:
Klinë – Vëllai e çon vëllain në Polici, thotë se ia çmontoi dhe dëmtoi dyert e shtëpisë së përbashkët
Në artikull thuhet se SHBA-të, respektivisht Departamenti Amerikan i Shtetit, kohët e fundit kanë aplikuar “diplomaci shtrenguese” ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sidomos për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Kosova dhe Mali i Zi kanë qenë aleatë të palëkundur të SHBA-së për dekada, por të dyja po përballen me presionin e Uashingtonit për t’i bërë lëshime Serbisë, vendit më pro-rus në Evropë”, shkruan The National Interest.
“Kosova është duke u përballur me presion publik nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të ndryshuar kushtetutën e saj në mënyrë që të krijojë një strukturë parashtetërore të drejtuar nga serbët në veri të territorit të saj”, vazhdon tutje artikulli.
Ndërkaq, thuhet se amerikanët kanë bërë një sërë hapash të rrezikshëm në mënyrë që të zbusin presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili nuk ka vendosur ende sanksione ndaj Rusisë aleate për agresionin në Ukrainë.
Autorët e artikullit përmendin edhe “krizën e barrikadave” në pjesën veriore të Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar dhe vendosjen e trupave ushtarake serbe në kufirin me Kosovën, duke përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar.
“Vuçiç në vitet e fundit ka bërë përpjekje të mëdha për të militarizuar Serbinë duke rritur shpenzimet e saj të mbrojtjes me 70 për qind dhe duke blerë pajisjet ushtarake ofensive më të fundit si nga Rusia ashtu edhe nga Kina”, theksohet në artikull.
Vendimi i administratës së Preisidentit Joe Biden për të qetësuar aktorët pro-presidentit rus, Vladimir Putin, në mënyrë që të përpiqet të krijojë një pykë midis Kremlinit dhe përfaqësuesve të tij në Ballkanin Perëndimor, sipas autorëve të artikullit, është një politikë e rrezikshme dhe dritëshkurtër.
“Së pari, ajo i dërgon botës mesazhin e gabuar dhe sinjalizon se SHBA-të nuk duket se i mbrojnë parimet e tyre apo aleatët e saj të vjetër. Së dyti, duke shpërblyer dhe fuqizuar aktorët pro-Putin, SHBA-të mund të shihet se tradhton jo vetëm aleatët e saj, por normat perëndimore”.
“Qeveritë dhe aktorët që udhëhiqen nga njerëz të fortë nuk kanë asnjë interes të përqafojnë vlerat demokratike. Shpërblimi i aktorëve të tillë nuk i ka rrënjët në traditën amerikane të promovimit të demokracisë jashtë vendit”, shtohet më tej.
Artikulli gjithashtu kujton se Presidenti Biden, atëherë senator i SHBA-ve nga viti 1973 deri më 2009, fliste për krimet e Serbisë në Ballkanin Perëndimor dhe për veprat kriminale të udhëheqësit fashist Slobodan Millosheviç, kurse tash po mbështetë pikërisht zëdhënësin e Millosheviç-it.
“Në vitet 1990, politikat irredentiste të Serbisë kulmuan me gjenocidin kundër popullsisë muslimane të Bosnjës dhe spastrimin etnik të popullsisë joserbe të Kosovës. Megjithatë, presidenti Biden ka zgjedhur t’i ofrojë mbështetje presidentit të Serbisë, i cili shërbeu si një zyrtar i lartë qeveritar në regjimin e Millosheviç-it”.
“Administrata e Bidenit duhet të rishikojë mësimet nga e kaluara dhe të rimendojë politikën aktuale të SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Nëse historia na ka mësuar diçka, ajo është se SHBA-të nuk duhet të braktisin parimet e tyre për një avantazh të përkohshëm”, nënvizohet aty.
Në fund të artikullit thuhet se amerikanët duhet të shtyjnë përpara politika parimore, të qëndrueshme dhe të besueshme që nuk shpërblejnë ata që synojnë të minojnë vlerat thelbësore demokratike perëndimore dhe se administrata e Presidentit Biden duhet të marrë këshillat e (senatorit) Biden për Ballkanin Perëndimor.