A do të shkarkohet Vjosa Osmani? Flasin njohësit e drejtësisë

Politikani i komunitetit egjiptian, Veton Berisha dhe ai i komunitetit rom, Albert Kinolli po pretendojnë se mandatet e tyre janë marrë nga disa shkelje të mëdha në zgjedhjet e fundit, të përgjithshme.

Sipas tyre, Iniciativa Rome ka arritur t’ua zë vendin në Kuvend me ndihmë të votave të serbëve të instruktuar nga Lista Serbe.

Ky proces gjyqësor u raportua se mund ta rrëzojë presidenten Vjosa Osmani nga pozita e shefes së shtetit – shkruan Neutral.

E mbi këtë çështje se a rrezikohet për t’u rrëzuar presidentja nga shefja e shtetit, flasin njohësit e kësaj fushe.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se në këtë rast nuk mund të rrezikohet pozita e presidentes Vjosa Osmani.

Miftaraj: Nuk rrezikohet mandati i Presidentes së Republikës apo qeverisë

“Edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos pozitivisht sipas kërkesës së deputetëve Berisha dhe Kinolli të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit AA.nr.29/2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës, si dhe Vendimit Anr.736/2021 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), sipas praktikes së ndërtuar nga vet Gjykata Kushtetuese por edhe standardet ndërkombëtare lidhur me parimin e sigurisë juridike, nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes së Republikës apo qeverisë. Në rradhe të parë, ankesa e dorëzuar nga dy kandidatët për deputetë nëse rezulton e suksesshme, potencialisht mund të revokohet mandati i një deputeti nga partia Romani Iniciativa në dobi të kandidatit për deputet Veton Berisha, për shkak të dyshimeve potenciale për deformim të mekanizmit të ulëseve të garantuara, duke mos anuluar të gjitha votat që subjektet politike të komuniteteve joshumicë kishin fituar nga komunitetet tjera të cilave ata nuk i përkisnin”, thotë ai – raporton Neutral.

Siaps tij, edhe nëse gjykata vendos në favor të deputetëve, ajo sërish nuk mund të rrezikohet pasi kanë kaluar afatet kohore për kontestimin e ligjshmërisë së presidentes.

“Sikurse, edhe në rast Gjykata vendos në favor të dy deputetëve, prapë se prapë nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes, pasi që kanë kaluar afatet kohore kur ka qenë e mundur të kontestohet ligjshmëria e zgjedhjes së Presidentës së republikës.

“Rasti konkret nuk mund të krahasohet me rastin e Qeverisë Hoti. Kjo pasi në rastin e Qeverisë Hoti, procedura kushtetuese ka qenë e iniciuar kundër vendimit për zgjedhjen e Qeverisë. Vlerësimi i mandatit të z. Arifi ka qenë aspekt sekondar, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë. Në rastin konkret, procedura kushtetuese nuk është e drejtuar tek vendimi për përzgjedhjen e presidentes, por vetëm tek mandati i një deputeti, anulimi i të cilit mandat, siç u tha, nuk mund të ketë pasoja më vendimet tanimë të nxjerra (Kjo praktikë e Gjykatës Kushtetuese është ndjekur në rastin e vendimit për përzgjedhjen e z. Pacolli si president dhe vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti)”, përfundon ai.

Ahmeti: Nëse gjykata kushtetuese do t’a konstatonte një gjë të tillë do të ketë krizë politike

Analisti Hidajet Ahmeti thotë se nëse Gjykata do ta konstatonte një gjë të tillë, atëherë o të ketë krizë politike.

“Çdoherë kundërshtarët politikë të pushtetit do të mundohen të zgjedhin rrugën më të shkurtë për të ardhë në pushtet. Nganjëherë pretendimet e tyre mbesin vetëm në formën e supozimeve, të cilat mund të përdoren vetëm për konsum të brendshëm. Nëse gjykata kushtetuese do t’a konstatonte një gjë të tillë do të ketë krizë politike, por nëse do të ketë vullnet politik mund të kalohet lehtë”, shprehet analisti.

Kelmendi: Nëse Gjykata Kushtetuese konstaton shkeljet kushtetuese të Osmani mbetet shkarkimi i saj

Juristi Muhamet Kelmendi ka thënë se duhet pritur verdiktin e gjykatës, mirëpo nëse gjykata konstaton shkelje, atëherë presidentja duhet të shkarkohet.

“Natyrisht se po. Nëse Gjykata Kushtetuese konstaton shkeljet kushtetuese të z. Osmani mbetet shkarkimi i saj. Ky është përfundimi i verdiktit që nxjerrë kjo gjykatë. Mirëpo, shkarkimi varet nga shkeljet. Ka norma kushtetuese që nuk dërgojnë te shkarkimi. Po ka edhe norma që në mënyrë të prerë shkarkohet edhe Presidnti/ja. Mbetet të shihet verdikti”, përfundon Kelmendi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *