Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm. Një gjë e tillë po dëshmohet sidomos javëve të fundit me kapjen dhe arrestimin e dyshuarve gjithandej vendit.
Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në Prishtinë, por këtë herë ‘sebep’ u bë një borxh prej mijëra eurove. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se fillimisht gjatë ditës së dijshme, një person i moshës 61-vjeçare ia mësyu Policisë për t’i denoncuar dy persona që i kërkuan para.
Bëhet fjalë për dy të rinj, të cilët i shkuan te shtëpia viktimës dhe i kërkuan parat që i biri i tij ua kishte borxh atyre. Në pamundësi për ta larë borxhin prej hiç më pak se gjashtë mijë euro, të djalit të tij që luan bastore, ai vendosi që ta raportojë rastin në Polici.
Si rezultat i denoncimit, i riu u intervistua nga hetuesit policorë, me ç’rast ka dhënë deklaratën e tij për borxhin që ua kishte viktimave dhe lojërat që kishte zhvilluar e i nxorën telashe. Përveç tij, edhe të dyshuarit janë marrë në pyetje lidhur me rastin për të cilin dyshohen.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti në drejtim të veprës penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit”.