Një aksident trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën nacionale Mitrovicë – Zubin Potok, saktësisht te rruga e Ulqinit, ku një biçikletë ka goditur një veturë. Si pasojë e aksidentit ka mbetur i lënduar drejtuesi i biçikletës, 74-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se deri te aksidenti ka ardhur për shkak të pakujdesisë së biçikletistit, i cili nuk ka respektuar shenjën e komunikacionit dhe është kyçur në rrugë duke ia marrë përparësinë e kalimit veturës.
Për shkak të lëndimeve të marra në aksident, 74-vjeçari është dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Mitrovicë, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ai është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.