U kërkua ekspertizë psikiatrike për Krivaqën, familja e Marigona Osmanit: Kemi nejtë me të, s’është i sëmurë

Gjykata Themelore e Ferizajt ka kërkuar që të dyshuarit kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaçës, t’i bëhet ekspertizë psikiatrike.

Nga familja e 18-vjeçares janë shprehur të shokuar me këtë veprim të gjykatës. Babai i së ndjerës, Muhabi Osmani, ka thënë se do të kërkojnë super-ekspertizë për këtë rast.

“Ne jemi duke pritë që sa më shpejt gjykata ta ftojë seancën e radhës. Unë nuk besoj që ka mjek psikiatrik që do të nënshkruajë se ai është i sëmurë apo i çmendur. Ne kemi nejtë personalisht me të. Nuk është ai. Nuk do ta pranojmë kurrë, nëse ata mendojnë që është i çmendur. Nuk është e vërtetë. Ai është njeri normal, ai e ka ba me vetëdije” ka thënë për Nacionalen Muhabi Osmani.

Ai ka treguar se nëse dokumentohet se Krivaçka ka probleme psikiatrike, atëherë ata si familje, përmes avokatit të tyre, Gazmend Rexhepi, do të kërkojnë ekspertizë ndërkombëtare.

“Kur kemi marrë vesh që është aprovu kërkesa e mbrojtjes së tij për ta rishikuar rastin psikologjik, ne kemi qenë të shokuar, për arsye se ai nuk është njeri i sëmurë. Nëse gjykata merr vendim në favor të tyre, ne do të kërkojmë super-ekspertizë jashtë Kosovës”- thotë tutje Osmani.

Ai thotë se kanë informacione se persona të caktuar po duan të kenë ndikim te procesi gjyqësor sa i përket kësaj çështjeje.

Janë duke këqyrë me pasë ndikim. Kemi informacione se po këqyrin me pasë informacione në gjykatë, por e kanë të kotë, sepse pasojat do të jenë edhe për ta”.

Sa i përket këtij rasti, procedura gjyqësore është ende në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve. Në këtë rast, në cilësinë e dëshmitarëve, deri më tani janë dëgjuar prindërit e viktimës, mjeku kujdestar, i cili e kishte pranuar trupin e pajetë në emergjencën e spitalit, dhe eksperti mjekoligjor, i cili e kishte bërë autopsinë.

Dëshmitarë tjetër që është dëgjuar, është edhe punëtori i kompanisë së kamerave të sigurisë që gjendeshin në banesën e të akuzuarit Krivaça.

Rasti që e ka tronditur opinionin publik ka ndodhur më 22 gusht 2021.18-vjeçarja Marigona Osmani ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.

Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë me datë 28.06.2022 ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen mizore të Marigona Osmanit.

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë, 04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit, 13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”- përshkruhet rasti në aktakuzë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *