Rashiq: Qeveria e Kosovës deri më 18 prill duhet të propozojë një model të vetë-menaxhimit

Qeveria e Kosovës më së largu deri më 18 prill duhet të propozojë të paktën një model se di duhet të duket vetë-menaxhimi për komunitetin serb në Kosovë.

Kështu ka thënë gjatë ditës së sotme Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

“Deri më 18 prill, Qeveria e Kosovës duhet të ketë së paku një propozim se si duhet të duket vetëqeverisja e serbëve në Kosovë. Me sa di unë, ka rreth pesëmbëdhjetë propozime të BE-së se si të përshtatet në kornizën ligjore të Kosovës, dhe zbatimi duhet të fillojë kur të nënshkruhet e gjithë marrëveshja”, ka thënë Nenad Rashiq, në një intervistë për gazetën “Nova”.

Ai po ashtu beson se Marrëveshja, e cila së fundi u pranua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është një njohje de facto e Kosovës.

Rashiq po ashtu ka thënë se qysh në fillim të Marrëveshjes, janë bërë hapa në drejtim të kundërt. Ai këtu ka përmendur refuzimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet në katër komunat në veri.

Kjo sipas tij është një hap i rrezikshëm që do të sjellë pasoja për komunitetin serb në Kosovë.

“Më duhet të them se në njëfarë mënyre shkuam në të kundërt menjëherë pas marrëveshjes. Dhe kjo shihet para së gjithash për çështjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës. Prisja që lista Srpska si kandidate zyrtare e Beogradit dhe SNS-së do të aplikonte për këto zgjedhje, por për habinë time ata thanë se nuk do të bënin. Dhe nëse nuk merrni pjesë në zbatimin e marrëveshjes që në fillim, do të jetë një “salto mortale” e dyfishtë, e cila do t’i largojë bashkëqytetarët tanë në veri nga Kosova. Lista Srpska gjatë gjithë këtyre viteve ka bërë mirë vetëm një gjë, ajo është shpërngulja e serbëve nga Kosova dhe ky vendim jo vetëm që është i paarsyeshëm, por do të sjellë pasoja të reja të rënda. Morali i njerëzve është thyer totalisht”, ka thënë Rashiq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *