Qytetarët kundër shtrenjtimit të rrymës, e papërballueshme

Vala e çmimeve të larta të produkteve bazë, por edhe rritja e çmimit të energjisë po ua rëndon edhe më shumë xhepin kosovarëve.

Paralajmërimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 14 për qind nga 1 prilli ka ngjallur pakënaqësi tek qytetarët – shkruan Neutral.

Pikërisht janë qytetarët e Malishevës që hapur kanë folur për zemërimin e tyre në lidhje me këtë problematik.

Në një bisedë me Gazetën Neutral, Murati banor i komunës së Malishevës thotë se shtrenjtimi i rrymës po ndikon negativisht në buxhetin e familjes pasi të hyrat janë të ulëta.

 “Jo mirë, sepse me këto kushte dhe me këto të ardhura që i ka Kosova vështirë se do ia dalin qytetarët. Më së shumti dëmtohen qytetarët e thjeshtë… Duhet t’i ndihmojnë qytetarët me subvencione dhe me diçka në këtë kohë të dimrit dhe jo me këto rritje të çmimeve, edhe të rrymës… Në krahasim me të ardhura dhe me standardet të Kosovës kjo është e tepërt”, është shprehur Murati për Neutral.

Se kushtët e vështira ekonomike dhe rritja e çmimit po del të jetë goxha e papërballueshme edhe për Sokolin. Ai shprehet se në familjen e tij është i vetmi i punësuar dhe se më këto të hyra duhet të kryej edhe obligimet e tjera.

Nuk mundemi t’i përballojmë faturat pasi që nuk kemi kushte. Me një rrogë duhet edhe fëmijët me i shkolluar edhe më ngrënë bukë. Faktikisht shtrenjtë është rryma, edhe me u na shtrenjtu më shumë, nuk di si do ta përballojmë deri në 2024-tën”, thotë Sokoli për Neutral.

Njësoj mendon edhe Berat Mazreku duke theksuar së shtrenjtimi i energjisë elektrike është barrë e rëndë për popullin.

Tutje për Bujarin ‘për ekonomitë familjare, ku kanë një jetë mesatare e shumica prej tyre janë të varfra’ andaj bëhet e papërballueshme kjo gjë.

Nga 1 prilli pritet të shtrenjtohen tarifat e energjisë elektrike për 14 për qind. Këtë e ka konfirmuar para disa ditësh kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, i cili ka theksuar se shqyrtimi i jashtëzakonshëm i raportit konsultativ ende nuk është final.

Për paralajmërimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike ka reaguar ditë me parë edhe KMDLNJ. Kujtojmë që, shtrenjtim të energjisë elektrike ka pasur edhe në shkurt të vitit të kaluar, me një vendim të ZRrE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *