Tekstet shkollore me gabime të mëdha, nxënësit nuk arrijnë të kuptojnë çfarë thuhet në to

Përkundër hartimit të teksteve të reja shkollore, nxënësit dhe mësimdhënësit po përballen me gabime teknike dhe përmbajtjësore në lëndë të ndryshme mësimore. Drejtues të institucioneve arsimore kanë bërë të ditur se janë në proces të rishikimit të teksteve.

Sipas nxënësve të shkollave fillore por edhe atyre të larta tekstet shkollore nuk japin sqarimet të thjeshtësuara, por shumë herë dinë t’i bëjnë konfuzë pasi ka dhe fjalë të huaja që nuk i kuptojnë – shkruan Neutral. 

Gazeta Neutral ka biseduar me mësimdhënësen e matematikës Fatushe Azemi, ku kjo e fundit ka thënë në tri dekadat e fundit është vështirë të punosh me këto tekste, ani pse në vazhdimësi ka pasur ndryshime.

“Si mësimdhënëse e lëndës së matematikës sigurisht që kam pakënaqësi bashkë me nxënësit. Për tre dekada kam punuar me tekste të ndryshme dhe shoh se tani më e kemi edhe më të vështirë, sepse tekstet nuk janë sa duhet kreative, janë më shumë me përkufizime, por pasi që kemi mundësi të marrim edhe nga literatura e huaj gjendemi disi. Por pakënaqësi kemi sepse nxënësit ballafaqohen drejtpërdrejtë me tekstet, edhe pse njerëzit kompetent janë të informuar me shkrim dhe nuk kemi asnjë lëvizje. Shpresojmë do të ketë ndonjë lëvizje për vitin e ardhshëm shkollor”, u shpreh ajo. 

Ndërsa Elijona Zejnullahu, nxënëse e gjimnazit mjekësor ‘Elena Gjika’ në Ferizaj thekson se tekstet mësimore janë goxha të ngarkuara. Sipas saj ka nevojë shumë për përmirsime.

 “Unë si nxënëse e klasës së dhjetë mendoj se shumë libra janë të ngarkuar dhe të zgjeruar më shumë se sa që duhet. E njëjta ka qenë edhe sa isha në shkollë fillore, librat ishin shumë të ngarkuar dhe nganjëherë, jo shumë të kuptueshëm për ne. Nga këndi im si nxënëse, mendoj se do të duheshin përmirësime”, mendon nxënësja Elijona Zejnullahu derisa flet për Neutral. 

Gazeta Neutral ka kontaktuar edhe me drejtorinë e arsimit në Komunën e Ferizajt, ku në një përgjigje për ne kanë thënë se ‘tek ne në vazhdimësi mbërrijnë ankesa nga mësimdhënësit sa i përket teksteve shkollore, por se ata nuk mund të bëjnë asgjë në këtë drejtim pasi është MASHT-i kompetente për këtë çështje’, thuhet në përgjigjen e tyre. 

Botimi i teksteve të reja shkollore ka filluar në vitin 2019 me synimin që të eliminohen defektet në përmbajtje dhe drejtshkrim, si dhe të bëhet harmonizimi i tyre me kurrikulën. Sipas Ministrisë së Arsimit janë shpenzuar mbi 25 milionë euro për botimin e tyre.

Eliminimin e gabimeve në Ministri kanë thënë se do ta rregullojnë përmes Ligjit të ri për tekste, që tashmë është në Kuvend.

/Neutral/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *