Dëshmitarët e masakrës së Pastasellës kujtojnë tmerrin e para 24 viteve

Dëshmitarët tregojnë tmerrin që përjetuan në masakrën e fshatit Pastasellë të Rahovecit, 24 vite më parë.

Manifestimi përkujtimor me rastin e 24-vjetorit të vrasjes dhe masakrimit të 106 civilëve në fshatin Pastasellë të komunës së Rahovecit, mblodhi mira njerëz.

Ali Krasniqi banor i fshatit Pastasellë të cilit ia kanë vrarë babain, tha se ka ndihmuar në nxjerrjen e të vrarëve nga kroi.

“I kemi nxjerr nga prroni që i kanë mbyt serbët dhe i kemi varrosur lartë atje …babën e kam pas të vrarë te ato shtëpitë atje, kish qenë i djegur në rimorkio e kemi nxjerr dhe e kemi sjell”, tha ai.

Për përkujtim erdhën edhe nga zonat e tjera. Murat Loku nga Hani i Elezit, theksoi se vjen gjithmonë nëpër vende ku ka përkujtime të masakrave në Kosovë.

“Çdo herë kur dëgjoj që ka manifestime të tilla, kudo në Kosovë, përulemi para tyre sepse Serbia ka bërë masakra të pa përshkrueshme. Unë si veteran i luftës ju qoftë lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit”, tha Loku.

Edhe Zize Krasniqi nga fshati Pastasellë rrëfen për masakrën në këtë fshat dhe përjetimet që kanë kaluar.

“Kur kanë ardhur forcat serbe kanë ardh nga ajo pjesë dhe neve na kanë mbledhur këtu. Pas pak gra e fëmijë na kanë dërguar teposhtë, i kanë ndarë burrat e djemt e rinj dhe i kanë vrarë e masakruar dhe i kanë gjuajtur në përrua”, tha ajo.

Në këtë ditë u zbulua pllaka përkujtimore në 24 vjetorin e rënies së martirëve në fshatin Pastasellë në vendin ku u vranë 106 civilët.

Nga kjo masakër mbijetuan Tahir Krasniqi, Shaqë Gjema.
/Demos/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *