Rahoveci nderon të rënët për liri, Serbisë i kërkohet hapja e arkivave

Në 24-vjetorin e të rënëve për liri në fshatin Reti të Komunës së Rahovecit janë bërë homazhe pranë përmendores dhe varreve të tyre. Me këtë rast u tha se dëshmorët Ramadan Mazreku, Bujar e Avni Thaqi si dhe 17 martirët nuk do të vdesin kurrë. 

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se sot po nderojnë ata që kanë përjetësuar idealin e lartë të lirisë.

Ai u shpreh se Retia edhe pse fshat i vogël, ka luajtur një rol të madh në luftën çlirimtare të UÇK-së. Derisa theksoi se qytetarët e saj meritojnë përkrahje më të madhe institucionale.

“Retia ka dhënë shumë në luftën për liri, por janë disa familje që po ashtu kanë dhënë shumë sepse kanë dhënë gjak nga gjaku i tyre për lirinë e atdheut. Ne sot i përkujtojmë me nderim dhe respekt të lartë tre dëshmorët Ramadan Mazrekun, Bujar Thaqin dhe Avni Thaqin, sikurse njëkohësisht përkujtojmë dhe nderojmë gjakun e derdhur për liri të 17 martirëve, dy prej të cilëve janë ende të pagjetur. Retia ka qenë vatër e qëndresës dhe përpjekjeve të luftës për liri, ka qenë selia e Brigadës 124 ‘Gani Paçarizi’, e cila pas ofensivës së shtatorit këtu është riorganizuar, sikurse që ka qenë vatër e riorganizimit të Brigadës 126 ‘Hasi’ dhe 125 brigadës nga Prizreni. Retia dhe qytetarët e saj meritojnë përkrahje shumë më të madhe nga ana e Komunës dhe institucioneve shtetërore… Nuk do ta harrojmë kurrë atë që ka bërë Retia, përpjekjen e madhe për liri”, tha ai.

Ai tha se është koha e fundit që Serbia t’i hap arkivat, në mënyrë që të zbardhet fati i të pagjeturve.

“Është koha e fundit që Serbia të detyrohet ta zbardhë fatin e të pagjeturve, t’i hap arkivat dhe të zbardhë fatin e të zhdukurve me dhunë”, tha ai.

Kryetari i fshatit Reti, Ilir Kryeziu, duke kujtuar veprën dhe jetën e dëshmorëve dhe martirëve tha se do të jetojnë me idealin e tyre për ta bërë Kosovën vendin që ata e kanë dëshiruar.

“Jemi mbledhur për të ndarë dhembjen dhe krenarinë për më të dashurit tanë. Për këtë shtet u derdh shumë liri dhe gjak, kemi paguar me jetën e më të dashurve tanë, duke humbur bijtë dhe bijat, gra, burra, pleq e fëmijë. Por të flijohesh për atdhe do të thotë të mos vdesësh kurrë. Me idealin e tyre ne do të jetojmë për të bërë Kosovën ashtu siç e dëshiruan ata”, tha ai.

E vëllai i dy dëshmorëve Bujar dhe Avni Thaqi, Safeti, kujtoi momentet se si paramilitarët serbë i kishin ndarë nga gratë dhe fëmijët e tyre për t’i pushkatuar.

“Familja ime i ka dhënë dy vëllezërit e mi, që janë kidnapuar nga forcat paramilitare serbe, i kanë nda prej familjeve, prej grave dhe fëmijëve, ata i kanë pushkatuar. Bile, ekziston një dëshmitar i gjallë, që na i tregon të dhënat e sakta”, tha ai. 
/Demos/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *