Raportimet në mediat vendore se një ‘rrufe’ mund të godas skenën politike dhe Vjosa Osmani, mund të rrëzohet nga pozita e presidentes, kanë bërë që të ketë një reagim të ashpër edhe nga shefi i stafit të kabinetit të Osmanit, Blerim Vela.
Përmes një postimi të gjatë në rrjetin social Twitter, Vela ka thënë se pretendimet se Kushtetuesja mund ta rrëzojë presidenten Osmani është synim për t’i bërë presion Gjykatës dhe sipas tij, për të krijuar huti në publik.
“Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. GjK është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore”, shkroi ai.
Tutje Vela ka thënë se ky është edhe tentim puç ndaj institucioneve të vendit, por që sipas tij, si e tillë do të dështojë.
“E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre,… …të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve. Çfarëdo skenari eventual për të shkaktuar kriza institucionale në Kosovë dhe për ta nxjerrë nga binarët procesin e dialogut (në veçanti për ta parandaluar zbatimin e nenit 4, të marrëveshjes), është vetëm skenar i vetë Serbisë. Pra, kjo është përpjekje për ndikim të vendimmarrjes gjyqësore dhe tentim puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, dhe si e tillë do të dështojë”, tha tutje ai.
Ndryshe ka pasur reagime dhe interpretime të shumta se një vendim i Gjykatës Kushtetuese në favor të kryetarit të Partisë Egjiptiane, Veton Berisha, mund ë çojë në rrëzimi e presidentes Osmani.
Në prill të 2021-tës, Berisha kishte dorëzuar një kërkesë në Kushtetuese, duke kontestuar vendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me dyshimet për orkestrimin e votimit nga ana e “Iniciativës Rome”, në vendbanimet me shumicë serbe.
Berisha pretendon se në këtë proces, për shkak të orkestrimit të votave, kandidatët e “Iniciativës Rome” janë zgjedhur deputetë në mënyrë të kundërligjshme, kurse ai ka mbetur jashtë Kuvendit.
Nëse Berisha fiton rastin në Kushtetuese, ai pretendon se një deputet nga komunitetet joserb do ta humb mandatin.
Vjosa Osmani është zgjedhur Presidente në rundin e tretë të votimit me 71 vota për, derisa në votim kanë marrë pjesë 82 deputetë.