Pozita e opozita kundërshtojnë shtrenjtimin e rrymës, Bordi i ZRrE-së pritet të miratojë vendimin

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë po raporton në Komisionin Parlamentar për Ekonomi lidhur me planin e performancës për vitin 2023.

Me këtë rast, deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të opozitës kanë ngritur kritika për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike nga 1 prilli.

Deputeti i LVV-së, Driton Hyseni ka thënë se performanca jo e mirë e operatorëve të energjisë ka ndikuar në rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Hyseni ka kërkuar informacione nga bordi i ZRRE-së në lidhje me masat që kanë paraparë në rast se vazhdon kriza energjetike në vend.

“Performanca e operatorëve ka qenë jo e mirë prandaj janë gjobitur operatorët. Tani kjo po bie në barrë të qytetarëve me rritjen e çmimit të energjisë. A keni skenarë tjerë që mund të aplikoni në rast vazhdimi të krizës në vend? Rishqyrtimi i tarifave është puna më e lehtë dhe që me më së qejfi po e bënë ZRRE”, tha ai.

Por, pretendimet e deputetit Hyseni i kundërshtoi kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Ai tha se shtrenjtimi i tarifave të energjisë po bëhet për shkak se është rritur kostoja e importit.

“Në rritjen e tarifave ka ndikuar kosto e importit e cila është më e lartë se që është parashikuar. Menaxhimi i krizës i takon Ministrisë së Ekonomisë. Operatorët tjerë bashkë me rregullatorin janë pjesë e komitetit dhe ne do ta ofrojmë gatishmërinë tonë në menaxhimin e krizave”, deklaroi ai.

Kritika për ngritjen e çmimeve të energjisë ngriti edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Në vitin 2023 të vini deri te rritja e çmimit të energjisë është e pakuptimtë dhe nuk e keni pas për bazë fare gjendjen ekonomike e pagat e ulëta. Po e bëni një gabim trashanik që të vini prapë te shtrenjtimi i energjisë”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *