Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se marrëveshja e dakorduar në Ohër duhet të ketë zbatim sa më të shpejtë dhe të saktë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti ka thënë se takimi i javës së ardhshme në nivel kryenegociatorësh ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes tashmë të dakorduar.
Kryeministri ka përsëritur se marrëveshja duhet të zbatohet në tërësi e assesi të ketë “copëtim” të saj.
“Takimi që do të bëhet në javën e parë të prillit që do të mbahet në Bruksel nuk do të jetë takim mes meje e Vuçiq por ndërmjet kryenegociatorëve. Më 4 prill ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes, që tashmë është dakorduar. Pra, ka marrëveshje, ekziston marrëveshja, ajo është shumë e qartë, publike për të gjithë dhe kemi nevojë për zbatim të shpejtë e të saktë të saj, prandaj ka nevojë për një takim të kryenegociatorëve.
Së pari marrëveshja duhet të zbatohet e tëra. Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet, e diçka jo, ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes, ashtu nuk duhet të ketë as zbatim të njëanshëm”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se fjala “urgjencë” në marrëveshje ka të bëjë me të pagjeturit, përkatësisht të zhdukurit me dhunë.
“Prandaj, marrëveshjen nuk duhet ta copëtojmë duke marrë pjesët e preferuara dhe tek fjala juaj që përdorët urgjencë është pikërisht tek fjalia që ka të bëjë me të pagjeturit, përkatësisht me të zhdukurit me dhunë.
Lexojeni teksin, deklaratat politike të kujtdoqoftë janë për t’i shërbyer procesit. Por tani kemi marrëveshje. Fjala urgjencë është tek çështja e të pagjeturve, po e ritheksoj edhe një herë”, ka thënë Kurti para mediave.
Kujtojmë se takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, është caktuar për të martën, 4 prill.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të shkojnë javën e ardhshme në Bruksel për të “diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.