Gjendje e jashtëzakonshme në Gjykatën në Mitrovicë pas dorëheqjes së 145 gjyqtarëve

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, për gjendjen e sistemit gjyqësor në veri pas dorëheqjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë thotë që ka qenë gjendja më e jashtëzakonshme në shumë vite në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

“Ka qenë gjendja më e jashtëzakonshme në shumë vite në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe në Divizionin e Apelit. Mundem me konfirmu që Divizioni i Apelit e ka mbuluar në tërësi materien që e ka pas Divizioni, pra të gjitha çështjet janë marrë në kompetencë të Gjykatës të Apelit por që punohet si Divizion, pra gjyqtarët janë caktuar në Divizion”, ka thënë Zogaj në Tëvë1

Sipas Zogaj, dorëheqja e 145 personave në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka ndikuar në përformancën e Gjykatës

.“Ndërsa, në Gjykatën Themelore gjendja ka qenë shumë më e jashtëzakonshme, për shkak se numri i zyrtarëve dhe gjyqtarëve së bashku janë 145 persona që kanë dhënë dorëheqje dhe kjo ndikon direkt në përformancën e Gjykatës”, tha kryesuesi i KGjK-së.

Ai ka treguar se është shtuar kapaciteti në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, por që sipas tij, përformanca prapë nuk është në nivelin që ka qenë më herët.“Kemi shtuar kapacitetin në Gjykatën Themelore të Mitrovicës përmes transferit të disa gjyqtarëve, së fundmi kemi caktuar një numër më të madh të gjyqtarëve për Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Gjykata po funksionin, performanca nuk është në nivelin që ka qenë, sepse janë gjysma e gjyqtarëve më pak. Është një Gjykatë që po menaxhohet dhe që KGjK-ja bashkë me gjyqtarë dhe nënkryetarin e Gjykatës çdo ditë janë në vlerësim të gjendjes. Ne besojmë që me numrin e bashkëpunëtorëve dhe gjyqtarëve që do të fillojnë punën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë gjendja do të jetë e menaxhueshme, por nuk do të jetë shumë efikase në atë që është pritja jonë”, tha mes tjerash Zogaj.

Zogaj tha se edhe përkundër numrit të madh stafit dhe gjyqtarëve që kanë dhënë dorëheqje, prapë po punohet dhe rastet po trajtohen me kujdes.Në nëntor të vitit të kaluar, pjesëtarët e komunitetit serb në veri kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *