Xhemajl Xhimi Sekiraqës, i cili njihet në publik si bashkëshorti i këngëtares Arta Bajrami, i është caktuar masa e paraqitjes në stacionin policor, pas një muaji qëndrimi në arrest shtëpiak.
Xhemajl Sekiraqa po kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për veprën penale “Grabitja” dhe i njëjti u arrestua në Prishtinë në shkurt të këtij viti.
Tani, atij i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak duke iu zëvendësuar me paraqitje në stacionin policor.
Këtë informacion e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se në çështjen penale për ndihmë juridike ndërkombëtare kundër të pandehurit XH.S, i njëjti ka qëndruar një muaj në masën e Arrestit Shtëpiak, tani i është caktuar masa e paraqitjes në Stacion Policor. Kundër këtij aktvendimi është paraqitur ankesë për Gjykatën e Apelit”, tha Gashi për Express.
E njëjta shtoi se Kuvajti po kërkon ëkstradimin e tij për veprën penale “Grabitje”.
Kundër të pandehurit XH.S kërkohet ekstradim nga shteti i Kuvajtit, për shkak të veprës penale Grabitje sipas legjislacionit penal të Kuvajtit”, tha Gashi për Express.
Policia e Kosovës me 3 shkurt ka informuar se Sekiraqa është arrestuar në rrugën “UÇK” në Prishtinë.
I njëjti, më pas me urdhër të prokurorit ishte dërguar në mbajtje për 48 orë.
Sipas policisë, i njëjti po kërkohej në nivel kombëtar e ndërkombëtar dhe është i dënuar me 10 vite burgim.