Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmë në fshatin Likoshan të Drenasit, ku një fëmijë 1-vjeçar u mbyt në një pishinë. Vdekja e vajzës u konfirmua nga ekipi i mjekësve në QKMF, ndërkohë që Sinjali mëson se Policia tashmë ka nisur hetimet.
Burimet thonë se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion, derisa në dritë kanë dalë detaje të reja.
Sipas informatave të para, fëmija kishte dalë për të lozur në oborrin e shtëpisë me fëmijët e tjerë, kur për një moment kishte rënë në pishinën që ishte në oborr. Familjen e njoftoi një fëmijë 7-vjeçar, i cili e gjeti vajzën në pishinë.
Në ato momente të vështira, familjarët e shqetësuar e dërguan fëmijën në Qendrën e Mjekësisë Familjare, por për fat të keq mjeku vetëm e konstatoi vdekjen.