Parlamenti Evropian voton për heqjen e vizave për kosovarët më 18 prill

Parlamenti Evropian pritet që të votojë për vizat më 18 prill, sipas draft agjendës së miratuar nga Konferenca e Presidentëve.

Më 23 mars do të votohet në Komisionin për Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punët e Brendshme. Ndërsa, seanca plenare parashihet të mbahet më 18 prill.

Votimi në fjalë pritet të ndodhë sipas procedurës së votimit urgjent, propozuar nga deputeti Thijs Reuten.

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën më 9 mars duke e konfirmuar se kosovarëve do t’u hiqen vizat nga 1 janari 2024.

Kosovarët pritet të udhëtojnë në Bashkimin Evropian pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.

Bashkimi Evropian këtë e ka ndërlidhur me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS, por nëse ky sistem që jep autorizim elektronik për shtetasit që nuk kanë nevojë për viza vonon, atëherë liberalizimi hyn në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm, transmeton lajmi.net.

Pasi që edhe Parlamenti Evropian t’i jap dritën jeshile procesit të liberalizimit, vendimi do të nënshkruhet nga përfaqësuesit e tri institucioneve të BE-së, siç janë Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti.

Më pas vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare pastaj hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit që i bie fillimi i vitit të ardhshëm.

Qytetarët e Kosovës janë ndër të vetmit që nuk munden të udhëtojnë në zonën Schengen pa viza.

/GazetaDemos/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *