Në ditën e martesës, Rexha mbytet nga kali. Kjo është historia që njihet përmes “Këngës së Rexhës”. Por, rapsodi Demir Krasniqi ofron një version tjetër të kësaj historie.
“Sipas burimeve të sigurta historike, kjo ngjarje ka ndodhur disa vite para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në afërsi të Medvegjës, ku për qëllime trashëgimie Rexhën jetim e ka vrarë mixha i tij”, ka thënë Krasniqi, duke cituar rrëfimin e Qamilit të Vogël.
Sipas tij, Rexhës i kishte vdekur babai në moshën dyvjeçare. Siç ndodhte dikur, e ëma e Rexhës kishte pranuar të martohet me kunatin, që të jetë pranë të birit. Axha – tashmë njerku i Rexhës – u përkujdes për nipin deri në moshën e martesës; e fejoi dhe bëri dasmë të madhe për të. Por, në një moment i kishte pikur në mendje se Rexha pas martesës do të ndahet prej tij e në këtë mënyrë edhe pasuria. Andaj, ditën e dasmës e kishte mashtruar Rexhën, duke e dërguar të stalla e kuajve gjoja për t’i ushqyer, ku e vret tinëzish e fajin ua hedh kuajve.
Demir Krasniqi shprehet se këtë histori e kishte treguar nëna e Rexhës, pasi që i kishte vdekur burri i dytë (axha i Rexhës). Këngën në Gjakovë e kishte sjell Qamili i Vogël, i cili për herë të parë e kishte kënduar në Radio Prishtinë. Që atëherë kënga është përhapur në të gjitha trojet shqiptare, duke u ripërpunuar edhe nga artistë të tjerë.