Një rast tragjik ka ndodhur sot në Dragodan, lagjën e njohur si “Arbëria”, ku pranë një hoteli ka nodhdur një konflikt nga i cili ka përfunduar i vdekur një person.
Mediat kanë raportuar se nga të shtënat me armë zjarri, ka vdekur 65 vjeçari Rexhep Tahiri.
Konflikti dyshohet të ketë lindur nga një mosmarrëveshje lidhur me një pronë.
Në anën tjetër, dy persona të tjerë janë përfshirë në këtë konflikt.
Të njëjtit kanë pësuar lëndime nga therjet me thikë.
“Sot rreth orës 13:20 policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në lagjen Arbëria të Prishtinës, saktësisht në një hotel. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor.
Bazuar në të dhënat fillestare nga arma e zjarrit lëndime ka pësuar një person, i cili në vendngjarje ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Ndërsa dy persona të tjerë të lënduar (dyshohet me mjet të mprehtë) janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje” deklaroi zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, për Indeksonline.