Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur te vila shtetërore “Bilana” në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku sot do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Fillimisht Kurti do të zhvillojë takim me Shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarin e posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Më pas, do të pësojë takimi i përbashkët me ndërmjetësuesit dhe Vuçiqin.
Borrell deklaroi dje se ka pranuar komentet e palëve në lidhje me aneksin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
Shpresoj se Kosova dhe Serbia do të mund të bien dakord për rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve”, tha Borrell më 17 mars, pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Maqedonisë së Veriut në Shkup.
Në tryezë të diskutimeve gjendet aneksi i zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.
Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. Po ashtu, kërkon nga të dyja vendet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, si dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.
SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.