Pendarovski takon Lajcakun: Mbështes dialogun Kosovë-Serbi për gjetjen e një zgjidhjeje gjithpërfshirëse

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar sot se Maqedonia e Veriut mbështet dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për “gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së”.

Kabineti i presidentit të Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se Pendarovski këtë e tha në një takim me përfaqësuesin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, në rezidencën presidenciale “Vila Vodno”.

Në atë takim u diskutua për ngjarjet e fundit në Ballkanin Perëndimor, situatën në Kosovë dhe pritjet nga dialogu, ndikimin e pushtimit rus në Ukrainë dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut theksoi se zgjidhja paqësore e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë imperativ absolut për të gjithë.

“Maqedonia e Veriut, si edhe më parë, në mënyrë aktive do të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal për të siguruar paqen, stabilitetin dhe përparimin e rajonit”, tha Pendarovski.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *