Para takimit të 18 marsit, ka folur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili është “i specializuar” në negociatat Kosovë – Serbi. Ish-kryesuesi i delegacionit kosovar në Bisedimet e Vjenës, komenton propozimin evropian dhe pritjet për takimin e së shtunës mes Kurtit dhe Vuciqit, që në radhë të parë, thotë se nuk e di pse është zhvendosur në Ohër.
“Nusja nuk do të thotë se është shumë e bukur, por martesa duhet të bëhet”. Ky është përshkrimi që ia ka bërë emisari gjerman, Manuel Sarrazin, marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, sipas propozimit evropian. Ai nuk e fsheh se marrëveshja mbi bazën e këtij propozimi nuk është më e mira e, por, sipas tij, është më realistja e mundshme.
Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, i deleguari i partisë për dialogun Kosovë – Serbi, thotë se po mundohet ‘ta përkthejë’ atë që e tha emisari gjerman. Haziri vazhdon ta shpjegojë marrëveshjen me terma të tjerë figurativë. Sipas tij, kjo marrëveshje sillet rreth statutit të Asociacionit, për të cilin, siç thotë Haziri, është bërë krejt ky proces.
“Te ne thuhet ‘kjo është lakra prej të cilës duhet të bëhen dy pite’. Do të varet shumë prej ‘nuses’ dhe zotësisë së saj se sa do arrij ta racionalizojë dhe ta bëjë të kënaqshme marrëveshjen për të dy palët. Atëherë, krejt angazhimi i kësaj marrëveshje bazë si dokument evropian, e ka një çështje për të cilën pretendohet, ose shpesh herë në deklarata publike nuk potencohet sepse është bërë ‘fjalë e ndytë’ e që te ne thuhet që elefanti është në dhomë, dhe nëse flasim për ‘elefantin në dhomë’, atëherë është statuti i Asociacionit çështja kryesore, kritike dhe e vetme për të cilin është bërë ky proces dhe që po angazhohen palët për prioritete”.
Nënkryetari i LDK-së thotë se filli i marrëveshjes, praktikisht, është te neni 7, aty ku flitet për “vetë-menaxhim” të komunitetit serb dhe dhënien e një statusi të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe.
“Praktikisht, Dokumenti si i tillë po fillon të sekuencohet dhe të ndërtohet prej nenit 7 si dokument i pranuar tashmë nga palët, i cili nuk mund të rinegociohet apo të rihapet në Ohër, por do të bisedohet për aneks dokumentin”.
Derisa palët janë pajtuar që në Ohër të mos e diskutojnë më propozimin evropian sepse ai është pranuar si i tillë, Haziri ka pritje që në takimin e 18 marsit mund të komplikohet procesi për shkak të aneks dokumentit, që po njihet si Plani i Zbatimit.
“Këtu pritjet nuk janë që të formalizohet diçka, shpresoj që të mos komplikohet sepse pritjet janë që te aneks dokumenti komplikimi i këtij procesi do të ndodhë, i cili do të të shkaktonte stagnim, fatkeqësisht”.
Qëndrimi zyrtar i LDK-së është se marrëveshja me Serbinë duhet të përqendrohet në njohje, pasi çfarëdo marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të raporteve me Serbinë. Haziri është pyetur nëse në rrethanat ekzistuese do të ishte e mundur përfshirja e njohjes reciproke në propozimin evropian.
Ai thotë se “qëllimi kryesor i këtij dialogu është njohja dhe normalizimi i raporteve me fqinjin e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe me shtetet që kufizohet Kosova e që është Serbia”. Dhe, këtë detyrë, ai thotë se e ka Kurti. Sipas Hazirit, Kurti është Kryeministri që “e ka hapur Kosovën ndaj Serbisë” dhe tani ka detyrë që të mos të lejojë të cenojë Kosovën si shtet.
“Z. Kurti e ka vetëm këtë detyrë, normalizimin e raporteve me Serbinë. Kurti është duke punuar që ta hapë Kosovën në raport me Serbinë dhe do të mbahet në mend si kryeministri i cili e ka hapur Kosovën ndaj Serbisë. Krejt çka lidhet me problemet ka të bëjë me Asociacionin dhe modalitetet që përmenden dhe shqyrtohen edhe nga ana e ekipit të tij si kryeministër i Kosovës, flasin për një autonomi politike territoriale të propozuar në aneks dokument dhe kjo çështje është detyrë e tij, që në kuadër të platformës, kritereve politike dhe parimit të negociatave mos me leju të preket kushtetutshmëria, territori, sovraniteti dhe karakteri i organizimit shtetëror të Republikës së Kosovës”.
Para shpalljes së pavarësisë, Haziri ishte pjesë e të “Ekip i Unitetit”, që përfaqësonte Kosovën në negociatat për statusin e saj. Tani, në emër të Kosovës negocion Kurti, i cili këshillohet/shoqërohet nga ekipi i tij. Përveç Kurtit, i deleguari i Qeverisë për dialogun me Serbinë është zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Bisedimet e tanishme me Serbinë, sipas Hazirit, janë ‘one man show’ [performim i vetëm një personi].
“Është vetëm kryeministri duke negociuar. Ka një ekip teknik, zëvendëskryeministri i dytë i qeverisë të cilit i është deleguar një pjesë e bisedimeve teknike, që merren vetëm me implementim ose kryesisht merret me protokollin e implementimit të marrëveshjeve të arritura nga kryeministrat tjerë, por nuk ka ekip”, ka thënë Haziri.
Kurti këto ditë ka qëndruar në Strasburg dhe nënkryetari i LDK-së e sheh këtë vizitë si pasqyrim i gjithë përfaqësimeve që i bën Kurti/
“Edhe sot [të mërkurën] në Strasburg, në kuadër të takimeve të mekanizmit të marrëveshjes së stabilizim asocimit, kryeministri shkon me deputetë të Vetëvendosjes. Përfaqësimi edhe në negociata e edhe në delegacione jashtë i kryeministrit është ai dhe partia e tij”.
Sipas Hazirit, një njeri dhe një parti nuk mund ta mbyllë këtë proces sepse, thotë ai, nuk mund të hapet e as të mbyllet asnjë lloj procesi i madh për Kosovën apo rreth Kosovës, pa një unitet apo koncensus sa më të gjerë politik.
“Sidoqoftë, ky është një vendim i kryeministrit Kurti, të cilin ne e kemi respektuar dhe llogaridhënia i adresohet në Kuvend të Republikës. Aty, para dhe pas takimeve, kryeministri është i obliguar të raportojë. Deri tash, hiç mocionin e LDK-së e cila e ka ftuar, nuk kemi raportim të rregullt dhe nuk llogaridhënie e asnjë lloj transparence në kuadër të kushteve të negociatave që kryeministri Kurti e ka dhënë para qytetarëve të Republikës”, ka thënë nënkryetari i partisë opozitare.
Nesër në Ohër të Maqedonisë Veriore nisin takimet e Kurtit dhe Vuçiqit, pas pranimit të Propozimit Evropian për normalizimin e raporteve. Përmbajtja e propozimit evropian, disa pjesë të së cilës kanë ngritur shqetësime në Kosovë, më nuk negociohet. Tani palët diskutojnë vetëm se si do të zbatohet ai propozim.