Një qytetar me inicialet L.Rr. ka paditur Qeverinë e Kosovës për shkak se gjatë vozitjes kishte dëmtuar veturën duke rënë në një gropë të një fshati të Skenderajt.
Ai pretendon se për dëmin e shkaktuar përgjegjësia i takon Qeverisë për mosmirëmbajtjes së rrugës dhe për këtë po kërkon 1 mijë e 300 euro kompensim.
Lidhur me këtë rast të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës ishte paraparë të mbahej seanca, mirë e njëjta ka dështuar në mungesë të ekspertit të komunikacionit Sejdi Berisha.
Mungesën e ekspertit Berisha, e ka konstatuar gjykatësi Hysni Ismaili, i cili ka njoftuar se nga fletëdërgesa rezulton se i njëjti nuk është ftuar në mënyrë të rregullt për këtë seancë.
Po ashtu gjykatësi Ismaili ka shtuar se zyra e ka telefonuar ekspertin mirëpo i njëjti është përgjigjur se nuk ka pranuar ftesë për seancë dhe për sot nuk e ka të mundur të prezentojë në seance shkaku i angazhimeve të tij.