Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar të mos e ketë mbështetjen e njëjtë me të cilën doli nga zgjedhjet e fundit parlamentare, sipas një sondazhi të cilin e ka parë Paparaci. Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rritje krahasuar me zgjedhjet parlamentare. Përkrahja është rritur edhe për Partinë Demokratike të Kosovës, e cila renditet e treta.
Një sondazh i fundit e ka evidentuar edhe një herë humbjen e një pjese të elektoratit të Lëvizjes Vetëvendosje nga zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021.
Sipas një sondazhi të realizuar nga një kompani kredibile në hulumtim dhe konsulencë, të cilin e ka parë Paparaci, Lëvizja Vetëvendosje do të fitonte 43 për qind të votave nëse zgjedhjet parlamentare do të ishin mbajtur të dielën e shkuar.
Rezultati i sondazhit sinjalizon rënien e mbështetjes për LVV-në krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare, në të cilat partia e kryeministrit Albin Kurti fitoi 50.2 për qind të votave.
Ndonëse nuk është shënuar rritje krahasuar me sondazhet e fundit të publikuara në fund të vitit të kaluar, dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja dhe PDK-ja, kanë shënuar rritje në përkrahje, bazuar në rezultatet e sondazhit.
Sipas sondazhit të cilin e ka parë Paparaci, LDK-ja e Lumir Abdixhikut renditet e dyta dhe do të fitonte 20 për qind të votave nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin më 12 mars, të dielën e shkuar.
Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rritje prej afro 10 për qind të votave. Megjithatë, LDK-ja nuk ka ndryshuar shumë në përkrahje krahasuar me sondazhet e publikuara disa muaj më parë.
Njësoj sikurse LDK-ja, rritje të votave ka shënuar edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Partia më e madhe parlamentare në opozitë, renditet e treta 19 për qind të votave, tregojnë rezultatet e sondazhit.
Rezultati i këtij sondazhi për PDK-në nënkupton se partia e udhëhequr nga Memli Krasniqi vazhdon të mbetet e treta në përkrahje pas LDK-së, por me një rritje prej rreth dy përqind krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Në anën tjetër, AAK-ja e Ramush Haradinajt do ta kalonte sërish pragun, me mbështetje prej 7 për qind të votave, sipas sondazhit. AAK-ja do të merrte 7 për qind të votave në nivel vendi nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën.
Kjo matje e opinionit publik është realizuar nga 5 deri më 12 mars, raporton Paparaci. Në hulumtim nuk janë përfshirë votat e diasporës.
Ndërsa, sondazhi tregon se partia “Guxo” e cila është në koalicion me VV-në nuk e kalon as pragun, e përcjellë nga Nisma Socialdemokrate dhe PSD-ja.