Anëtarët e disa organizatave të shoqërisë civile në Serbi dhe Kosovë i dërguan një apel të përbashkët Presidentit të Serbisë dhe Kryeministrit të Kosovës që të pranojnë dhe nënshkruajnë marrëveshjen e BE-së, gjegjësisht të arrijnë një kompromis për aneksin e zbatimit në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen këtë të shtunë në Ohër për të diskutuar aneksin e zbatimit të marrëveshjes. Ata kanë rënë dakord më parë për bazat e kësaj marrëveshjeje më 27 shkurt në Bruksel.
Në prag të takimit është intensifikuar aktiviteti diplomatik. Zyrtarët ndërkombëtarë po diskutojnë dialogun në Bruksel dhe hapat e ardhshëm – si me njëri-tjetrin, ashtu edhe me përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit.
Mbrëmë, 19 anëtarë të OSHC-ve kanë bërë thirrje të përbashkët për dy zyrtarë.
“Ne, anëtarët e poshtëshënuar të shoqërisë civile, përmes kësaj letre të përbashkët u bëjmë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të pranojnë dhe nënshkruajnë marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian (BE), si dhe të arrijnë një kompromis për aneksin e zbatimit në takimin e 18 marsit 2023”.
Ata vlerësuan se marrëveshja e propozuar nga BE-ja është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për normalizimin e marrëdhënieve dhe integrimin evropian dhe do të ketë ndikim pozitiv në nivel të komunitetit për të nxitur marrëdhënie më të mira ndëretnike.
“Ne e kuptojmë se marrëveshja e propozuar nga BE-ja nuk është e kënaqshme për asnjërën palë, megjithatë, vazhdimi i status quo-së aktuale do të ketë pasoja shumë më të këqija dhe do të çojë në tensione të reja, të cilat do ta bëjnë jetën e qytetarëve më të rëndë dhe më pak të sigurt në të dyja shoqëritë”.
Ata deklaruan se qytetarët presin që liderët e tyre të angazhohen me njëri-tjetrin dhe të bëjnë kompromise që do të lehtësojnë procesin e integrimit evropian për të dyja palët dhe për rajonin në tërësi.
“Kompromisi është shtyllë e një shoqërie demokratike dhe nuk është lëshim”, përfunduan ata