Pas aksidentit në trafik, sulmoi palën tjetër – Inspektoriati suspendon nga puna policin

Inspektorati Policor i Kosovës bën të ditur se të mërkurën në orët e mbrëmjes kanë pranuar një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me një aksident trafiku më dëme materiale në mes dy automjeteve, ku ishte përfshirë edhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare me veturë private).

Sipas informacionit të pranuar palët e përfshira në këtë aksident nuk kanë arritur të gjejnë mirëkuptim lidhur me mënyrën e procedimit dhe për këtë arsye e kanë njoftuar policinë, thuhet në njoftim.

“Në ndërkohë (para se të arrinte njësia e patrullës policore) si rezultat i fjalosjes dhe mosmarrëveshjeve dyshohet se nga dy të dyshuar (përfshirë këtu zyrtarin policor jashtë detyrës zyrtare) është sulmuar njëra palë e përfshirë në këtë aksident.

Hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Pas këtyre veprimeve hetimore me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Sulm” nga IPK janë arrestuar dy të dyshuar (përfshirë edhe zyrtarin policor) ndaj të cilëve prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë.

Si pjesë e procedurës administrative hetimore zyrtari policor është suspenduar nga puna.

Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *