Paralajmërimet e opozitës, nëse shtrenjtohet çmimi i rrymës

Zyra e Rregullatori të Energjisë (ZRrE) ka paralajmëruar për rritje të faturave të energjisë për 14 për qind.

Ky paralajmërim nuk u ka pëlqyer partive opozitare në vend, të cilët e kanë kundërshtuar dhe njëra nga to ka paralajmëruar edhe protestë, ndërkaq partia në pushtet po pret raportin final të ZRrE-së.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike në vend. Pavarëisht kundërshtimeve dhe paralajmërimeve për protesa nga AAK-ja, deri më tani këto parti nuk kanë lëvizur në këtë drejtim.

Ndërkaq, partia në pushtet, Vetëvendosje, është në pritje të vendimit të ZRrE-së.

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se qeveria do të mundohet për të ulur ndikimin negativ të rritjes eventuale të faturave.

“Mbetet të shihet tashmë në ditët në vijim se cili do të jetë propozimi final për modelin e tarifave të energjisë elektrike, dhe prapë po them mbetet në trajtim nga ana e qeverisë se cila është forma dhe mënyra më e mirë për të ulur ndikimin negativ që mund të ketë tek familjet kosovare, në veçanti të atyre me të hyra më të vogla”, ka thënë ajo.

Nga Partia Demokratike e Kosovës janë shprehur të shqetësuar për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe kanë kërkuar që kjo masë të mos ndodhë.

Deputeti Ferat Shala në Kuvendin e Kosovës ka thënë se shtrenjtimi i energjisë është i papërballueshëm për qytetarët e vendit, për shkak edhe të inflacionit të lartë.

“Në emër të PDK-së ngrejmë shqetësimin tonë për paralajmërimin e shtrenjtimi të energjisë elektrike nga ZRRE, pra jemi në prag të vendimmarrjes nga ZRRE për rritjen e tarifave për 14 për qind.”

“Ne PDK jemi kundër dhe kërkojmë që kjo masë të mos ndodhë për arsyet si më poshtë: gjendjen jo të mirë ekonomike të vendit, për shkak të inflacionit të lartë mbi 14 për qind për të gjitha produktet bazë të jetesës, për shkak të rënies së fuqisë punëtore dhe humbjes së shumë vendeve të punës dhe ikjes masive të gjitha kategorive qytetare jasshtë vendit. Kjo rritje është e papërballueshme dhe nuk duhet të ndodhë”, ka thënë ai në seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten më 9 mars.

Në anë tjetër, anëtari i LDK-së, Visar Azemi, ka thënë se po të ishte partia e tij në pushtet tarifat e energjisë elektrike nuk do të ndryshonin.

Ai ka fajësuar Qeverinë Kurti duke thënë se për shkak të neglizhencës së tyre mund të ketë shtrenjtim të rrymës.

“Tash është e pashmangshme ngase nuk ka ku shkon më. Po të ishin bërë marrëveshje nuk do të kishte ardhur deri tek shtrenjtimi”, kishte thënë ai.

“Po të ishte LDK në qeveri do të merrnim masa që të menaxhohej kriza, e të mos vinte deri tek shtrenjtimi”, ka thënë ai.

E partia opozitare më numrin më të vogël të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, AAK, e ka kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë, madje kanë paralajmëruar edhe protesta.

Kështu ka bërë të ditur deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, në një konferencë për media para disa ditëve.

Ai kishte renditur disa arsye se përse rryma nuk duhet të shtrenjtohet, ku ka përmendur subvencionimin e energjisë, gjendjen e mirë të KEK-ut dhe të tjera.

“Qytetarët e vendit janë të lodhur nga shtrenjtimi i secilit artikull dhe jetesa është bërë e vështirë, ku një familje nuk po mundet ta sigurojë as shportën familjare. Vetëm të mendosh edhe një rritje tjetër te çmimit te energjisë nuk është normale dhe as e arsyeshme. Nëse ndodh kjo rritje, qytetarin e vendos në varfëri të skajshme dhe në luftë për ekzistencë e mbijetesë. Ne do të bisedojmë edhe me qytetarët dhe do të kemi edhe protesta. Nëse ndodhë kjo rritje, atëherë qëllimshëm po nxitet dhe stimulohet edhe më shumë ikja e qytetarëve nga vendi”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, nëse eventualisht miratohet vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike, atëherë nga 1 prilli qytetarët do të faturohen me tarifa të reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *