Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, në një bisedë telefonike me emisarin e BE-së, për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë e mbështetë fuqishëm BE-në në përpjekjet e saj për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai u shpreh se është koha që Kosova dhe Serbia të bëjnë kompromise, teksa shtoi se angazhimi i NATO-së, për stabilitet të Ballkanit Perëndimor, do të vazhdojë.
“Është mirë të flas sërish me Miroslav Lajçak, NATO mbështet fuqishëm përpjekjet e vazhdueshme diplomatike me Beogradin dhe Prishtinën të udhëhequr nga BE-ja. Është koha që të dyja palët të bëjnë kompromise. Angazhimi ynë për stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe NATO_KFOR, është i fortë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen më 18 mars në qytetin e Ohrit, për të diskutuar planin e zbatimit të marrëveshjes së propozuar nga BE.