Vendimi i 8 shkurtit i KQZ-së për caktimin e afateve të aktiviteteve për zgjedhjet në Veri, është ndryshuar të enjten e javës së kaluar. Nga 18 marsi, afati për aplikim për certifikim, është zgjatur deri më 22 mars. Ky vendim u mor me propozim të Besnik Buzhalës, Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike. Lidhur me këtë, detaje kanë dhënë anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani dhe zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.
Lajmin se Vuçiq do formojë parti të re, eksperti serb e krahason me Millos…
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 8 shkurt, miratoi aktivitetet dhe planin operacional për zgjedhjet e 23 prillit që pritet të mbahen në katër komunat në Veri. Sipas këtij vendimi, afati për të aplikuar për certifikim ishte deri më 18 mars.
Mirëpo, në mbledhjen e 9 marsit, me propozim të drejtorit të ZRCKFSP-së, Besnik Buzhala, u mor vendim për shtyrjen e afatit për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 23 prillit.
“Kjo periudhë prej 2 ditësh nuk i rrezikon aktivitetet e tjera që janë të parapara me planin operacional. Kjo ndërlidhet edhe me aktivitetin që i ka jep rëndësi edhe zyra për shtyrjen e afatit të certifikimit nga 18 mars deri më 22 mars, pra për 4 ditë”, tha Buzhala.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sot tha se vendimi për ta shtyrë afatin për aplikim për certifikim për pjesëmarrje është bërë që t’i jepet më shumë kohë subjekteve politike që ta bëjnë një gjë të tillë.
Elezi tha se propozimi për ta ndryshuar vendimin ka ardhur nga Zyra për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike.
“Diferenca e madhe mes ditës së fundit të aplikimit (18 mars) dhe datës së vendimmarjes nga KQZ-ja (24 mars) është zvogëluar duke i dhënë më shumë kohë subjekteve politike për të paraqitur aplikimet e tyre për tu certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje. Këto janë zgjedhje vetëm për disa komuna dhe ky fakt e bënë më të lehtë e më të shpejtë procesin e verifikimit të përshtatshmërisë së kandidatëve, nëpërmjet institucioneve tjera, ashtu siç parashihet në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Propozimi për të ndryshuar vendimin ka ardhur nga shërbimi profesional, Zyra për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike dhe i njëjti është paraqitur në mbledhjen publike të KQZ-së dhe në prezencë të mediave. Po ashtu, në të njëjtën mbledhje dhe me propozim të Sekretariatit të KQZ-së, është shtyrë afati deri më 22 mars për emërimin e anëtarëve të katër Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, i cili formohet kryesisht me përfaqësues të subjekteve politike. Këto ndryshime nuk ndikojnë në zhvillimin e afateve të aktiviteteve tjera zgjedhore”.
Njëjtë tha edhe anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar nga Zyra e Regjistrimit të Partive Politike dhe nga Sekretariati kërkesën për zgjatje të afatit për aplikim për certifikim për subjektet politike për zgjedhjet në katër komunat. Data e fundit për aplikim ka qenë data 18 mars. Ndërsa Zyra dhe Sekretariati kanë kërkuar që ky afat të shtyhet deri më 22 mars”, tha Elshani,
Elshani, tha se ai dhe përfaqësuesi tjetër i PDK-së kanë abstenuar pasi “nuk janë bindur nga arsyet”.
“Ne dy përfaqësuesit e PDK-së në KQZ nuk jemi bindur nga arsyet që janë dhënë, prandaj kemi abstenuar nga votimi, ndërsa anëtarët tjerë kanë votuar pro rekomandimit”, ka thënë Elshani.
Ky vendim i KQZ-së duket se e ka gëzuar të dërguarin e BE-së për Dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak. Ai në një prononcim për portalin serb “Kossev” ka thënë se vendimi i KQZ për shtyrjen e afatit për paraqitjen e listave është vendim konstruktiv, pasi sipas tij jep më shumë hapësirë që mbledhja e Ohrit të mos mbahet nën presionin e këtij afati.
”Në këtë kontekst, vendimi i KQZ-së për shtyrjen e afatit për paraqitjen e listave është një vendim konstruktiv sepse na jep më shumë hapësirë dhe mundëson që mbledhja e Ohrit në datën 18 të mos mbahet nën presionin e këtij afati, por shpresojmë se do të ndihmojë. ne në një atmosferë krijuese që do të ishte e favorshme për gjetjen e një zgjidhjeje politike“, ka deklaruar Lajçak.
Kujtojmë që zgjedhjet në Veri u patën caktuar të mbahen më 18 dhjetor, mirëpo për shkak të tensioneve atje, presidentja Osmani mori vendim për shtyrjen e tyre për 6 muaj.