Sektori i ndërtimeve në Kosovë, del vërtet të jetë shumë i veçantë, çmimet thuaj në asnjë kohë deri më tani nuk i janë nënshtruar ligjeve të tregut, respektivisht ofertës dhe kërkesës, por gjithnjë kanë shkuar duke u ngritur, madje jo pak dhe në përqindje jo të vogla. Me fjalë të tjera, sado që duket treg i ngopur me ofertë, në sektorin e ndërtimeve përditë nisin ndërtime të reja, në kryeqytet, por edhe në të gjitha qendrat e tjera komunale të Kosovës.
Sektori i ndërtimit në Kosovë është interesant për vrojtim, dhe i veçantë jo vetëm ndër shtetet e rajonit: Të gjitha subjektet pjesë përbërëse të këtij sektori, përkundër rënieve e ngritjeve të herë pas hershme, në fund deklarohen të dalin “të fitueme”. Vetë ndërtimtarët, sado që nuk deklarohen asnjëri nga ta, me faktin se vazhdojnë të ndërtojnë çdo vit e më shumë, e pranojnë se puna e tyre u sjell fitim, tregtarët e banesave, sekserët, ndërmjetësuesit e shitblerjeve të banesave fitojnë gjithsesi nga puna e tyre (ndërmjetësimi), por edhe klientela, blerësit e banesave nuk e fshehin fare se nga blerja i dy-tre vjetëve më parë tashmë kanë goxha ca para të fituara, pasi që në këtë ndërkohë (qëkur kanë kontraktuar banesën e deri tani) është ngritur çmimi i banesave shumë.
Reklama e sponzorizuar
Ata (klientela) janë edhe konkretë: një banesë të cilën e kanë blerë para dy-tre vjetësh me çmimin, ta zëmë, 850 euro metrin katror, tani në çdo kohë dhe kur të duan mund ta shesin me 1.100-1.200 euro metrin katror. Në këtë mënyrë, sektori i ndërtimeve në Kosovë, del vërtet të jetë shumë i veçantë, çmimet thuaj në asnjë kohë deri më tani nuk i janë nënshtruar ligjeve të tregut, respektivisht ofertës dhe kërkesës, por gjithnjë kanë shkuar duke u ngritur, madje jo pak dhe në përqindje jo të vogla.
Me fjalë të tjera, sado që duket treg i ngopur me ofertë, në sektorin e ndërtimeve përditë nisin ndërtime të reja, në kryeqytet, por edhe në të gjitha qendrat e tjera komunale të Kosovës. Dhe, sado që ka ‘tejngopje’ të tregut me ndwrtime tw reja dhe me sosh të finalizuara, çmimet në sektorin e ndërtimeve gjithnjë në këto vitet e fundit, edhe pas pandemisë, edhe pas luftës ruso-ukrainase kanë shkuar duke u ngritur.
Kështu, në Kosovë kemi treg shumë të madh të banesave, përkatësisht ofertë të stërmadhe, ndërkohë që në vend që të ketë çmime më pak shpërthyese, ato janë enorme të larta, dhe kanë shpërthyer sidomos në muajt pas krizës së pandemisë COVID 19 dhe shpërthimit të luftës ruso-ukrainase dhe në periudhën qëkur Kosova është përfshrë nga kriza globale e çmimeve, nga ngitja enorme e materialeve për ndërtim dhe nga kriza energjetike.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në tremujorin e katërt të 2022-tës, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (TM4 2021), Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 16.7%. Rritja e indeksit, kryesisht u vërejt te: transporti (40.4%); makineritë (17.8%); materialet (17.6%); kostot e tjera (12.5%); dhe pagat (9.6%). Ndërsa, rënie u vërejt te energjia (-15.2% )”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Ndërsa, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Arbër Sadiki, në një televizion kombëtar të vendit, këto ditë ka thënë se pavarësisht ngritjes së çmimeve në vitin e fundit, shifrat e kërkimit të lejeve ndërtimore janë të ritmit të njëjtë si të viteve të shkuara. “Ka qenë pritshmëri që intensiteti të bjerë për shkak të ngritjes së çmimeve në të gjitha artikujt, e sidomos në materialet ndërtimore, por statistikat që kemi pas mundësi t’i analizojmë deri tash, pasi tash bëhen një vit që jam në këtë pozicion dhe i kam krahasuar, po thuajse është i njëjti ritmi i aplikimeve”.
Arsyet për këtë ritëm ndërtimesh ishin të panjohura për Sadikin, por, siç u shpreh ai, “faktorët ndoshta s’lidhen me shitjen apo kërkesën sepse kemi përshtypjen, në bazë të analizave, që shpesh ndërtuesit vazhdojnë me inercion për ndërtime të reja, pa bërë kalkulim sa është interesi i vërtetë i qytetarëve, blerësit a fuqisë blerëse”. Sidoqoftë ai ka paralajmëruar rrezikun që ngulmimi për ndërtime në Prishtinë të sjellë në një situatë ku ndërtimet të mbesin pa shitur e të shkaktohet zhvleftësim i objekteve.
Megjithëkëtë, sektori i ndërtimit në Kosovë ka pasur dhe vazhdon të ketë një aktivitet të vrullshëm vitet e fundit. Edhe numri i kompanive ndërtuese, përkundër vështirësive evidente për të gjetur punëtorë dhe mjeshtër ndërtimesh, është shtuar ndjeshëm.
Sipas të dhënave zyrtare të që u publikuan së fundi nga INSTAT, gjatë vitit 2021, në Kosovë ndërtimi zuri mbi 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e renditur Republikën tonë të dytën në rajon, pas Shqipërsisë (me 11 për qind të PBB-së) sa i përket rëndësisë që ka sektori i ndërtimit në zhvillimin ekonomik. Të dhënat krahasuese që u publikuan së fundmi nga INSTAT tregojnë se, përveç Shqipërisë dhe Kosovës, që kanë përqendrim të investimeve në ndërtim, në vendet e tjera, sektori i ndërtimit zë 5-7% të PBB. Ekonomia e Bosnjës ka ekspozimin më të ulët ndaj ndërtimit, me vetëm 5,7 për qind të PBB-së, në Maqedoninë e Veriut ndërtimi zë 5.9 % të ekonomisë, në Serbi 7 për qind.
Megjithatë, çmimi i banesave të ndërtesat kolektive të banimit, në dy-tre vjetët e fundit ka shënuar ngritje të madhe. Po të krahasohen çmimet aktuale që e dominojnë tregun e banesave në Kosovë me çmimet e 1,5-2 vjetëve të kaluara, del që ato të kenë shkuar në qiell.
Ndërsa, në Kosovë, në kryeqytet, sidomos, por edhe në qendrat e tjera komunale, ka kohë që ka numër të madh banesash në treg, dhe trendi i ndërtimeve po vazhdon hovshëm, sadoqë ndërtimtarët pretendojnë ta minimizojnë ritmin imponues të ndërtimeve banesore. Është evidente pra, se në Kosovë, gjithandej, në kryeqytet, në qendra te tjera komunale më të mëdha, por edhe në ato më të vogla, po ndërtohet shumë, megjithë faktin se ka kohë që në tregun e banesave në vendin tonë dominon në përmasa goxha të mëdha oferta karrshi kërkeës. Megjithatë, siç shihet, dhe siç dëshmojnë edhe të dhënat nga shitblerjet e banesave, krahas dominimit të ofertës dhe çmimeve enorme të larta të tyre, ka edhe goxha kërkesa për shtiblerje.
Çmimi i banesave në Kosovë, kudo, nga dita në ditë, po vjen duke u ngritur vazhdimisht. Tani një metër katror i një banese në pjesët e qendrës së Prishtinës, flitet se po tregtohet me 3.000 e 4.000 euro, dhe përtej këtyre shifrave, ndërkohë që në 2021 ky çmim ka lëvizur nga 1.500 deri në 2.000 mijë euro. Njësoj me çmime të ngritura shumë, shiten edhe banesat në lagjet në afërsi të drejtëpërdrejt me qendrën, por edhe në zonat më periferike të kryeqytetit, ku një metër katror ka arritur në 1.000 deri në 1.500 euro, çmim ky që në vitin 2021 sillej nga 750 deri në 850 euro.
Çmimet e banesave janë ngritur ndjeshëm edhe në qendrat e tjera të Kosovës, dhe tani një metër katror në zonat e qendrave komunale thuaja askund nuk mund të gjesh nën 700-900 euro, ndërkohë që në vitet paraprake në qytetet e shumta të Kosovës, edhe përgjatë zonave të qendrës, ka dominuar çmimi prej 400-500 eurosh.
Në Shoqatën e Ndërtimtareve të Kosovës dhe agjencitë e patundshmërisë, thonë se rritja e çmimeve të shitjes dhe qirave të banesave ka ndodhur për shkak të inflacionit dhe rritjes së materialeve ndërtimore. Ata madje theksojnë se kjo rritje e çmimeve të materialeve ndërtimore është pothuajse 100 për qind në krahasim me vitin 2020. Ndërtimtarët, kompanitë ndërtimore që kanë treg më të madh në Prishtinë, theksojnë se çmimi i ngritur i banesave është kryekëput pasojë e ngritjes së çmimeve të materialit ndërtimor, sidomos të hekurit (armëbetonit) dhe të blloqeve e tullave të ndërtimit, i inflacionit dhe i kostos së ndërtimit të një banese. Dhe, është e vërtetë se çmimet e hekurit dhe të materialeve të tjera të nevojshme për një banesë janë ngritur ndjeshëm, sidomos gjatë kohës së pandemisë COVID 19 dhe sidomos pas eskalimit të luftës ruso-ukrainase.
Sipas ndërtimtarëve të Kosovës, rritje të madhe të çmimeve në vitin e fundit kanë pasur materialet, transporti dhe puna e ndërlidhur me ndërtim. Një nga ndërtimtarët goxha në zë, në tregun e banesave në Kosovë, por që do të mbetët anonim, për netural ka dhënë shifra konkrete të ngritjes së çmimeve të materialeve. Sipas tij, nga fillimi i vitit 2022 viti është shënuar 60% rritje e çmimit të hekurit. Rritja e materialeve të plastikës, të nevojshme për ndërtimin e banesave ka shkuar në 80 për qind, ndërsa e produkteve nga druri (dërrasave dhe trerëve) 63%. Rritja e çmimit të stiroporit ka arritur në 62%, ndërsa e çmimit të bllokave në 30 për qind.
Ai nuk lë pa përmend edhe katër-pesëfishimin e çmimit të transportit nga Kina. Këto janë shkaqet kryesore, sipas ndërtimtarëve të vendit për rritjën e çmimit të banesave në Kosovë.
Mirëpo, sipas njohësve të ndërtimtarisë kosovare, çështja e çmimeve të ngritura dhe karrshi këtyre çmimeve të larta prap se prap vazhdimësia e kërkesës së lakmueshme në tregun e ndërtimeve, në Kosovë, është më komplekse dhe nuk është vetëm rrjedhojë e shtrenjtimit të materialit të ndërtimit. Ata, e shpjeojnë anomalinë e ofertës dhe kërkesës në tregun e ndërtimeve në Republikën tonë, përkatësisht çmimet e norme të larta dhe kërkesën pokështu goxha konstante dhe pa rënie të theksueshme për të blerë banesa në mënyrë më komplekse dhe më të detajuar.
Sipas tyre, ndikim të madh në këtë shpërputhje evidente të çmimeve të larta të ofertës dhe kërkesës të pandalshme për të blerë banesa kanë në radhë të parë normat tepër të ulëta të interesit nga bankat për paratë e deponuara të qytetarëve, por edhe shitja me kredi, me rata pagese të banesave (nga disa ndërtimtarë pa kamatë fare). Në këtë mënyrë qytetarët, qoftë ata nga diaspora, qoftë vendorët, e kanë parë leverdinë që paranë e tyre ta investojnë në patundshmëri, sidomos në banesa, çmimi i të cilave vetëm sa po ngritet, para se t’i deponojnë në bankë, ku fitimi është fare simbolik, ose nuk ka fare fitim.
Më konkretisht, një banesë 70-80 metra katror e blerë para 2-3 vitesh me çmimin 750-850 eurosh, tani mund të shitët me çmimin më së paku 1.100 euro metri katrorë, dhe llogarisni sa do të fitojë blerësi i banesës. Edhe, nëse ky blerës vendos që banesën e blerë ta lëshojë me qera, prap se prap fitimi është ndjeshëm më i madh se sa paratë e kostos së banesës të deponoheshin diku në ndonjë bankë. Jo rrallë, çmimi i qiradhënies është i barabartë, ose i përafërt me ratën që blerësi është ngarkuar nga kredia e angazhuar për blerjën e banesës. Këto janë llogaritë që i bëjnë banesëblerësit, të cilët kanë para për të bërë këto llogari, dhe ata nuk janë të paktë as këtu, as në diaporë.
Prandaj, në Kosovë ka shumë banesa, ka shumë sosh në ndërtim dhe që po nisin të ndërtohën dhe, siç u tha, ka jo pak blerës. Këto janë shkaqet që megjithë këto çmime i bëjnë ndërtimtarët optimistë për shitblerjen e tyre, dhe të vazhdojnë heshtazi shpërfaqjen e kënaqësisë për rrjedhën në tregtim të banesave në vend, përkundër varfërisë së kosovarëve dhe mungesës së parave te kosovarët rezidentë. Gjithsesi, shpresat më të mëdha i kanë te mërgata jonë, prirja e tyre që të investojnë lehtësisht në paluajtshmëri, e sidomos në blerjen e banesave.