Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, për caktimin e masës së paraburgimit prej 40 ditësh ndaj të pandehurit L.S., që dyshohet se e ka dhunuar motrën e vet.
I pandehuri ishte në kërkim ndërkombëtar.
“INTERPOL, ka lëshuar urdhër-arrest për arrestimin e të kërkuarit/pandehurit L.S., nga RF e Gjermanisë, me kërkesë për ekstradimin e tij autoriteteve të Gjermanisë. Ekziston dyshimi i bazuar se i kërkuari/pandehuri L.S., në territorin e RF të Gjermanisë ka kryer vepër penale, “abuzim seksual i rënduar i një fëmije që përkon me dhunimin” nga neni 176C par.1.177 nënpar. 1.5 dhe 6.52 i Kodit Penal të Gjermanisë, që është e paraparë edhe në legjislacionin tonë vepra penale e dhunimit nga neni 227 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykata Themelore në Gjakovë.
Sipas kësaj gjykate L.S., është shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendimin e datës 29.08.2022 të Gjykatës së Heidelbergut të Gjermanisë.