Pavarësisht nëse jeni person i mëngjesit apo jo, të gjithë e fillojmë ditën tonë në një moment të caktuar varësisht nga puna dhe obligimet tjera që kemi. Disa menjëherë kontrollojnë telefonin për ndonjë mesazh apo rrjetet sociale, të tjerët zhyten në email, disa nguten ta pinë kafen e mëngjesit, ka edhe prej atyre që merren me stërvitje apo meditim në mëngjes. Pra, ka mënyra të ndryshme se si mund të shkojë mëngjesi juaj.
Cila rutinë e mëngjesit mendoni se është më e mira?
Ja disa këshilla rutinore të mëngjesit që do të përmirësojnë dhe do t’ju frymëzojnë të ndryshoni mënyrën e fillimit të ditës tuaj.
Shkruani në një copë letër objektivat ditore
Filloni ditën tuaj me një stilolaps dhe letër, duke shkruar listën tuaj të detyrave, qëllimet dhe mendimet tuaja. Përdorimi i një ditari mund të ju ndihmojë ta bëni këtë një tipar standard në çdo mëngjes. Ky veprim i thjeshtë por shumë me rëndësi ka gjithashtu potencialin për të ndryshuar jetën tuaj.
Shkrimi i qëllimeve dhe objektivave tuaja çdo mëngjes ju ndihmon të përqendroheni gjatë ditës rreth asaj që është më e rëndësishme për suksesin dhe mirëqenien tuaj.
Konsumoni ujë para kafes
Para se ta kapni filxhanin me kafe, mbushni vetes një gotë ujë dhe shtrydhni gjysmë limoni në të, pasi është një mënyrë e shkëlqyeshme për t’i dhënë trupit tuaj një nxitje në vend që ta rëndoni atë me kafeinë që në mëngjes.
Hani mëngjes
Shumë njerëz mendojnë se kanë më shumë energji dhe aftësi për t’u përqendruar në mëngjes, dhe mëngjesi thuhet se është vakti më i rëndësishëm i ditës. Prandaj është e rëndësishme ngrënja e mëngjesit që të merrni energji të mjaftueshme para se të filloni ditën tuaj dhe të niseni për në punë.
Mos i leni anash ushtrimet trupore
Ushtrimi ndihmon në rritjen e energjisë, motivimit, produktivitetit dhe qëndrueshmërisë fizike dhe mendore. Shkenca sugjeron një lidhje midis mprehtësisë mendore, kujtesës dhe ushtrimit. Sipas një studimi nga “Harvard Medical School”, ushtrimet trupore ndikojnë që truri juaj të sekretojë një kimikat të quajtur faktor neurotrofik, i cili rrit funksionin e trurit.
Bëni gjumë të mjaftueshëm
Fillimi i një dite të re, padyshim se lidhet ngushtë me gjumin e natës. Nëse nuk bëni gjumë të mjaftueshëm kjo mund të ndikojë negativisht në përqendrimin, kujtesën, sistemin imunitar, efikasitetin dhe vendimmarrjen.
Për të marrë gjumë të mjaftueshëm, përpiquni të shmangni pirjen e kafesë pesë deri në shtatë orë para gjumit. Gjithashtu, krijoni një ambient të rehatshëm në dhomën tuaj të gjumit që të jetë larg nga ekranet si televizori apo telefoni që ju pengojnë të bëni gjumë të rehatshëm./AkademiPune