Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qenë sot në vendkalimin kufitar, Kapia (Porta), që gjendet ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe Medvegjës.
Ai tha se aty ishte bashkë me kryetarin e komunës, Kadri Rahimaj, teksa shtoi se më 2 dhjetor të 2011’s, u pati nënshkruar Marrëveshja e Brukselit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit e cila vazhdon të mos zbatohet nga Serbia.
“Aty na pritën oficerët e Policisë së Kosovës, Haki Leci dhe Fadil Imeri. Këta evokuan kujtimet kur u vendosën për herë të parë këtu te kufiri pa vendkalim më 16 dhjetor 2016. Në anën tjetër të kufirit, Serbia refuzon ta ndërtojë kabinën e ngjashme policore për kalim zyrtar të qytetarëve. Në mes të rrugës ata kanë vendosur barrikadë me cunga”, shkroi ai në Facebook.
“E, në të dy anët e kufirit është fshati i njëjtë Svircë. Ky kufi pa vendkalim i ndanë edhe anëtarët e të njëjtave familje që detyrohen të udhëtojnë mbi 15 km larg në Mutivodë për të kaluar në anën tjetër. Kapia do zbatim, porta duhet të hapet”, u shpreh Kurti.