Tre zyrtarët kryesorë të shtetit dhe 109 deputetë, më 17 Shkurt të vitit 2008 do të përdornin të njëjtin laps për ta nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë në pergamenë. Por s’e ku gjendet ai laps 15 vjet pas, institucionet nuk kanë përgjigje, njësoj si ata që në ditën historike ishin marrë ekskluzivisht me Deklaratën dhe me elemente të tjera. I bashkon i njëjti mendim se Deklarata në pergamenë duhet të ruhet bashkë me elementet e tjera përcjellëse, e lapsi është njëri prej eksponateve kryesore
Për shumëkënd që merret me trashëgiminë kulturore, Kosova ka fatin që ta ketë eksponatin më të rëndësishëm: Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë. Por nuk e ka atë me krejt elementet përcjellëse. Mungon kaligrafi apo lapsi me të cilin dokumentin e shtetësisë e kanë nënshkruar udhëheqësit kryesorë institucionalë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata që në ditën historike ishin marrë ekskluzivisht me Deklaratën dhe me lapsin, nuk e dinë se ku gjendet ai. Kurse institucionet qendrore janë të ndara rreth kësaj çështjeje, por i bashkon mungesa e informacionit.
Historia e asaj dite në pjesën më të madhe është shfaqur drejtpërdrejt në ekranet televizive, por prapaskenat bashkë me rrëfimet të cilat e plotësojnë atë janë të shumta. Prej atyre që kishin të bënin direkt me pergamenën ku është shkruar Deklarata, ishin ai që e ka porositur pergamenën, artisti që e ka bukurshkruar, dhe një zyrtare e cila ka asistuar në nënshkrimin e dokumentit.
Deklarata e Pavarësisë gjendet në Kuvendin e Kosovës. Saktësisht në njërin nga muret e kabinetit të kryetarit të këtij institucioni. KOHA më 9 shkurt nëpërmjet postës elektronike ka kërkuar zyrtarisht informacion nga Kuvendi për vendndodhjen e lapsit me të cilin asokohe kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe presidenti Fatmir Sejdiu të parët kishin hedhur nënshkrimet në Deklaratë. Pas tyre edhe 109 deputetët e pranishëm në seancë.
Jozyrtarisht KOHA ka marrë vesh se lapsi nuk mund të gjendet në Kuvend. Kurse zyrtarisht institucioni deri sot nuk u është përgjigjur pyetjeve.
Hajredin Kuçi në shkurtin e 2008-s ka qenë zëvendëskryeminister i Kosovës. Në përgjigje për vendodhjen e lapsit, ka dhënë sqarim të shkurtër. “Së bashku me Deklaratën janë deponuar në zyrën e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë ai.
Në Kryeministri e kanë pasur një përgjigje të prerë.
Ju njoftojmë se Deklarata e Pavarësisë është nënshkruar në Kuvend e rrjedhimisht të gjitha materialet janë në Kuvend. Andaj ju udhëzojmë që t’i drejtoheni institucionit të Kuvendit”, ka thënë nëpërmjet postës elektronike zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Por, sikurse Kuvendi ka vepruar edhe Presidenca. Nuk kanë kthyer përgjigje. E jozyrtarisht kanë bërë të ditur se lapsi nuk gjendet në këtë institucion.
Historiani Arbër Hadri në kohën e Shpalljes së Pavarësisë ka qenë drejtor i Muzeut të Kosovës, tash Muzeu Kombëtar i Kosovës. Me të marrë vesh se Kosova, që asokohe ishte nën administrimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, do të shpallte mëvetësinë, kishte nisur të merrej me atë se si do të dukej Deklarata e Pavarësisë. Për KOHËN ai ka shpalosur korrespodencat e atyre ditëve. Nëpërmjet postës elektronike kishte kërkuar nga Muzeu i Londrës që t’i jepej një propozim se në çfarë materiali do të duhej të shkruhej Deklarata. Në bazë të korrespodencës, drejtuesi i Muzeut të Londrës, me kërkesën e Hadrit, ishte konsultuar me Departamentin e Konservimit. Kishin marrë direktiva që teksti i Deklaratës të shkruhej në pergamenë dhe me llojin e ngjyrës “Indian black ink”.
“Në këtë kontekst pastaj jemi përcaktuar që të jetë në pergamenë. Në këtë rast, meqë kam pasur në Londër edhe motrën, Dardane Hadri, të cilën e kam angazhuar që t’i marrë ato materiale të cilat i kemi përcaktuar dhe pastaj i ka sjellë në Kosovë vajza e saj Anyla”, ka treguar Hadri. Po ashtu, posedon korrespodencat elektronike me të motrën.
Sipas Hadrit, që tash punon si historian në institutin e historisë “Ali Hadri”, ideja ishte që Deklarata bashkë me lapsat e përdorur për shkrimin e saj dhe tavolina ku ka qenë e vendosur në Kuvend të ishin eksponate të përhershme në Muzeun Kombëtar të Kosovës ose në ndonjë muze të veçantë kushtuar Shpalljes së Pavarësisë.
Si bukurshkrues do të zgjidhej profesori universitar, grafisti Shyqri Nimani. Ai në shtëpinë e tij ka tre prej lapsave të përdorur për të shkruar tekstin e Deklaratës në pergamenë. Titulli, nëntitulli dhe teksti janë shkruar me tri madhësi të ndryshme. Lapsi i katërt do të përdorej për nënshkrime. Nimani ka rrëfyer se i kishte në dispozicion vetëm 16 orë për ta shkruar gjithë tekstin. Ishin tri faqe të formatit A4 të cilat duhej kaligrafuar shkronjë për shkronjë. Prejardhja e lapsave i ndan Nimanin dhe Hadrin. Shkruesi ka thënë se i ka marrë nga veglat personale të punës. Kurse ish-drejtori i Muzeut ka thënë se i ka porositur dhe i kanë ardhur bashkë me pergamenën. Si provë i ka llogaritur direktivat e marra nga Muzeu i Londrës për ngjyrën që duhej përdorur.
“Ishte shumë gjë e rëndësishme që në pergamenë të nënshkruhen edhe anëtarët e Kuvendit. Unë ua dhashë kaligrafin me ngjyrën e zezë dhe ju thashë këtë duhet t’ia jepni personit i cili ka me qenë aty dhe do t’ju shërbejë anëtarëve të Kuvendit që të nënshkruhen”, ka rrëfyer Nimani. Madje ka kujtuar se i kishte porositur që pas çdo përdorimi të mbyllej lapsi, në mënyrë që të mos thahej ngjyra. Ai ka pohuar se nuk e di se çfarë ka ndodhur me atë laps pasi është dërguar nga Qeveria në Kuvend bashkë me Deklaratën e Pavarësisë.
Me të arritur krejt materialet në Kuvend, gjatë procesit të nënshkrimit ishte vendosur që udhëheqësit shtetërorë të asistoheshin nga Hana Bajrami. Asokohe absolvente e shkencave politike, si 20-vjeçare do të ishte asistente e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi. Bajrami ka treguar se lapsat i ishin dhënë nga stafi i kryeministrit të asaj kohe, Hashim Thaçi. Pas procesit të nënshkrimit e më pas, ka thënë të mos ketë njohuri për vendndodhjen e lapsit me të cilin në orën 15:53 kishte nisur të nënshkruhej Deklarata.
“Lapsat atë ditë kur ka përfunduar ceremonia m’i kanë marrë. Po kush m’i ka marrë nuk e di. E di që ka qenë dikush i Kuvendit ose i Zyrës së kryeministrit…”, ka rrëfyer ajo.
Dyshja Hadri e Nimani e shohin si fatkeqësi mungesën e një prej eksponateve më të rëndësishme pas vetë Deklaratës në pergamenë, e cila prej tetorit të vitit 2017 është aset i trashëgimisë kulturore të Kosovës. Qe përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme.
“Në të ardhmen nëse krijohet muzeu i shpalljes së pavarësisë të gjitha artefaktet duhet t’i dorëzohen Qeverisë që të jenë aty. Lus atë person i cili e ka marrë atë kaligraf sa më shpejt le ta kthejë te unë në studio ose në Qeveri që të jetë së bashku me të gjitha këto artefakte, sepse edhe ai e ka rëndësinë e vet…”, ka thënë Nimani.
Hadri ka thënë se lapsat janë pjesë përbërëse të vetë Deklaratës e po ashtu edhe si eksponate më vete. Si drejtor i Muzeut kishte bërë disa kërkesa që Deklarata së bashku me eksponatet përcjellëse të dërgoheshin në Muze, por një gjë e tillë nuk ishte realizuar.
“Këto janë disa elemente të cilat duhet të jenë gjithsesi pjesë përbërëse të një prezantimi të duhur dhe cilësor, si dhe të një konservimi preventiv që duhet të ndodhë brenda prezantimit. Ky është një dokument me shumë rëndësi dhe qytetarët duhet të kenë qasje në të…”, ka thënë Hadri.
Në Muzeun Kombëtar të Kosovës gjendet një kopje e Deklaratës, e cila është pjesë e ekspozitës së përhershme në katin e sipërm.