Sikleti për drogën: I riu në Vushtrri lë pa rrymë një fshat, shet kabllot për të blerë substanca narkotike

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Në shumë raste, përdoruesit e drogës përfshihen edhe në telashe të tjera, si pasojë e sikletit për të konsumuar substanca të tilla.  Një rast i tillë është zbuluar gjatë ditës së djeshme  në fshatin Zagora të Vushtrrisë, ku Policia ka arrestuar një person.

Burimet e Sinjalit thonë se këtë herë, i riu që  u kap në flagrancë nga Policia u arrestua nën dyshimet se kishte dëmtuar kabllot e energjisë elektrike, me qëllimin që të njëjtat t’i shes për të blerë substanca narkotike.

I dyshuari B.M., 19-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e djeshme, me ç’rast e ka pranuar veprën për të cilën dyshohet.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore bashkë me KEDS-in, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të riun ta dërgojë në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *