Deputeti shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi, ka thënë se sot ka pranuar kërcënime me jetë në adresën e tij të Faccebook-ut.
Arsyeja për këtë, Kamberi thotë se është aktiviteti i tij politik si deputet shqiptar në Serbi.
Sot, përmes rrjetit social Facebook, nga një person i panjohur kam pranuar kërcënime të drejtpërdrejtë për jetën time”, ka njoftuar Kamberi derisa ka publikuar edhe mesazhin kërcënues që ka marrë.
“Mjaft me rrëmbime, ndërsa sa të përket ty personalisht, ruaje gjithmonë shpinën kur të shkosh diku. Nuk do të kuptosh asnjëherë kur do të vij për kokën tënde“ është teksti i mesazhit që Kamberi thotë se iu dërgua nga një person me emrin Danijell Millkoviq.
Për muaj me radhë, Serbia po mundohet për të ndërtuar një realitet virtual të gjoja rrezikimit të jetës së serbëve në Kosovë. Ndërkohë, sa është e rrezikuar liria dhe jeta e shqiptarëve në Serbi flasin rastet e shumta të diskriminimit”, thotë deputeti shqiptar.
Ai këtu mori shembull edhe dënimin e Ragmi Mustafit në Luginë e Preshevës.
“Dënimi i para disa ditëve i kryetarit të Këshillit Kombëtar, Ragmi Mustafi, për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar me 28 nëntor të vitit të kaluar, paraqet vetëm një nga rastet e këtilla”.
Kamberi thotë se kjo klimë e tillë antishqiptare në Serbi po vjen nga mediat e kontrolluara të regjimit të Vuçiqit.
“Kjo është atmosfera në të cilën punojnë, veprojnë dhe jetojnë shqiptarët, në Serbinë autoritare të Aleksandar Vuçiqit. Kjo klimë antishqiptare, për vite me radhë po stimulohet nga mediat proqeveriatare dhe deklaratat e shpeshta fyese të qeveritarëve serb. Kjo atmosferë diskriminuese e kërcënuese është arsyeja kryesore e kërkesës tonë për zgjidhje simetrike të të drejtave të komuniteteve”.
Në fund, Kamberi u zotua se aktivitetin e tij politik për të drejta të barabarta s’do ta ndalë.
“Puna jonë vazhdon, ajo nuk do të ndalet, as për shkak të kërcënimeve abstrakte e as atyre konkrete që mund të vijnë. Të vërtetën do ta themi, pavarësisht se të tjerëve nuk i pëlqen”.