Mbrëmja e sotme ishte tragjike për katër familje kosovare. Katër të rinj humbën jetën tragjikisht, në një aksident të rëndë që ndodhi para dy orësh në rrugën Ferizaj-Shtime. Plagëve që morën si pasojë e përplasjes me një veturë tjetër ata nuk arritën t’iu mbijetonin dhe fatkeqësisht vdiqën në vendin e ngjarjes. Mirëpo, nga aksidenti kanë mbetur të lënduar një çift bashkëshortor të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim, raporto Gazeta Sinjali.
Burime nga Emergjenca kanë bërë me dije për Sinjalin se tre nga katër personat e vdekur në këtë aksident tragjik janë Arlind Isufaj, 21-vjeçar, Mergim Behluli, 23-vjeçar dhe Armend Muhadini, 39-vjeçar, teksa personi tjetër akoma nuk është identifikuar.
Ndryshe, vdekjen e katër të rinjve e ka konfirmuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes, ndërsa si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të lënduar edhe një çift, që pësuan lëndime të rënda trupore.
Sipas të njëjtave burime, burrë e grua janë dërguar tashmë në QKUK, ku po marrin trajtim mjekësor dhe akoma nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.
Sipas informacioneve të para, të rinjtë ishin në një veturë të tipit BMW, kur papritmas shoferi humbi kontrollin dhe u përplas me veturën në të cilën ndodhej çifti, duke pësuar kështu plagë të cilave nuk mundën t’iu bënin ballë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Ferizaj dhe kanë njoftuar se vdekjen e viktimave e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 19:15 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në aksin rrugor Ferizaj -Shtime, në hyrje të Shtimes, ka ndodhur një aksident komunikacioni ku janë përfshirë tri automjete të udhëtarëve, vetura me targa vendore. Si pasojë e këtij aksidentit, 4 persona kanë humbur jetën, vdekja e të cilëve është konfirmuar nga mjekët në vendin e ngjarjes.
Ekipe të Emergjencave janë në vendin e ngjarjes Njësia e Hetimeve të Komunikacionit Rrugor ka nisur hetimet”.
Ndërkohë janë publikuar edhe pamje nga vendi i ngjarjes.